
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Prishtinë/Kosovë – Kryetari i Ansamblit “Trojet” me qendër në Winterthur të Zvicrës, z. Zeqë Gashi, këto ditë po qëndron në Kosovë, pas një vizite në Shqipëri, ku gjatë pushimeve ka pasur mundësi të vizitojë disa qytete, nga veriu deri në jug të vendit. Gjatë qëndrimit në Kosovë, z. Gashi zhvilloi edhe një takim të veçantë me profesorin dhe ish-diplomatin, njohësin e çështjeve shqiptare, Sylë Ukshini. Takimi, i zhvilluar në “Kadare”, u përqendrua në çështje të ndryshme kulturore e kombëtare, me theks të veçantë në rolin dhe misionin e diasporës shqiptare. Në fokus të bisedës ishte veprimtaria e Ansamblit “Trojet”, i cili prej vitesh vepron në Zvicër me një mision të qartë: ruajtjen, kultivimin dhe përcjelljen e kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar te brezat e rinj të mërgatës.
Gjatë takimit, z. Gashi i dhuroi profesor Ukshinit edhe revistën themeltare të Ansamblit “Trojet”, duke dëshmuar përkushtimin e këtij institucioni kulturor që veprimtaria e tij të dokumentohet dhe të mbetet dëshmi për brezat e ardhshëm. Një nga temat e bisedës ishte edhe pjesëmarrja e Ansamblit “Trojet” në festivalin e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ansambli u paraqit me sukses dhe mori vlerësime të shumta për nivelin artistik dhe përfaqësimin dinjitoz të kulturës shqiptare.
Profesor Sylë Ukshini, duke e përshkruar takimin, theksoi rëndësinë e angazhimit të “Trojeve” në diasporë.
“Takim te ‘Kadare’ me z. Zeqë Gashin, kryetar i Ansamblit ‘Trojet’ në Winterthur, Zvicër, me të cilin biseduam për aktivitetet kulturore të këtij ansambli, i cili me përkushtim kontribuon në ruajtjen e identitetit dhe vlerave tona kulturore e kombëtare”, u shpreh Ukshini. Sipas tij, gjatë takimit u diskutua edhe për mundësinë e promovimit të studimeve të tij të fundit, si dhe për krijimin e një komunikimi më të drejtpërdrejtë me pjesëtarët e diasporës shqiptare në Zvicër.
“Mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e Ansamblit ‘Trojet’ në ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave tona kulturore e kombëtare te brezat e rinj”, përfundoi profesor Ukshini. Takimi mes dy bashkëbiseduesve dëshmon edhe një herë se diaspora shqiptare nuk është vetëm një urë lidhëse me vendlindjen, por edhe një hapësirë ku kultura, gjuha, tradita dhe identiteti kombëtar vazhdojnë të jetojnë e të përcillen nga një brez te tjetri. Për Ansamblin “Trojet”, ky mision mbetet një përgjegjësi dhe një amanet: të ruhet ajo që na identifikon si shqiptarë dhe t’u përcillet brezave të rinj, kudo që ata jetojnë.










