BallinaAtdheuAutostrada Shkup-Bllacë do të kushtojë 220 milionë euro, 10.5 kilometra me 5...

Autostrada Shkup-Bllacë do të kushtojë 220 milionë euro, 10.5 kilometra me 5 tunele

-

Shkup – Pjesa e dytë e autostradës Shkup–Bllacë, me gjatësi prej 10.5 kilometrash, do të kushtojë rreth 220 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet për mbikëqyrje dhe mbështetje teknike. Kështu deklaroi ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, për Alsat. Sipas Nikolloskit, pas optimizimit të projektit është ulur vlera e punimeve dhe tashmë është siguruar një ofertë nën 200 milionë euro. Pjesa tjetër e shumës lidhet me mbikëqyrjen dhe mbështetjen teknike. Financimi parashikon 169 milionë euro grant nga Banka Zhvillimore dhe 30 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ndërsa shteti do të mbulojë harmonizimin e çmimeve me inflacionin vjetor. Ministri paralajmëroi se një krizë e mundshme globale ekonomike ose energjetike mund të ndikojë në rritjen e kostos gjatë periudhës së ndërtimit, e cila parashikohet të zgjasë katër vjet.

Pesë tunele dhe 11 ura

Traseja do të nisë nga qarkorja në Stenkovc dhe do të kalojë nëpër një terren të komplikuar. Projekti parashikon 11 ura dhe viadukte, 11 nënkalime, katër galeri dhe pesë tunele me nga dy tuba, që në total nënkupton 10 tuba tunelesh për të dy drejtimet. Sipas ministrit, rreth 75 për qind e trasesë nuk do të jetë në tokë, por në beton, ndërsa disa prej viadukteve do të kenë lartësi prej të paktën 30 metrash. Në pjesët e hapura, shpejtësia e lejuar do të jetë deri në 130 kilometra në orë, ndërsa në tunele nga 80 deri në 100 kilometra në orë.

Autostradë me tre korsi në secilin drejtim

Autostrada do të ketë nga tre korsi në të dy drejtimet. Dy korsi do të shërbejnë për qarkullim, ndërsa njëra do të jetë korsi ndihmëse. Gjerësia totale e autostradës do të jetë 27.5 metra, ndërsa drejtimet do të ndahen me një hapësirë të gjelbër. Nikolloski tha gjithashtu se rreth 65 për qind e procesit të shpronësimit për këtë trase tashmë ka përfunduar. Autostrada Shkup–Bllacë shihet si një lidhje e rëndësishme infrastrukturore me Kosovën, veçanërisht duke pasur parasysh intensitetin e lartë të qarkullimit të mallrave në pikën kufitare Han i Elezit. Sipas të dhënave të përmendura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vetëm gjatë një viti në këtë pikë doganore kalojnë rreth 54 mijë maune, transmeton alsatmk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Hidhet shorti i Champions League

0
Shorti për fazën e ligës të UEFA Champions League për sezonin 2026/27 po zhvillohet në Grimaldi Forum në Monako, ku skuadrat kanë mësuar kundërshtarët...