Barcelona po planifikon një revolucion të vërtetë në merkaton e ardhshme të transferimeve, me drejtuesit katalanas që kanë si objektiv kryesor afrimin e një sulmuesi të nivelit të lartë. Për të realizuar këtë operacion, klubi spanjoll është i gatshëm të shqyrtojë largimin e tre futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës. Sipas raportimeve, në listën e lojtarëve që mund të sakrifikohen janë Gavi, Alejandro Balde dhe Frenkie de Jong. Drejtori sportiv, Deco, synon të përfitojë rreth 150 milionë euro nga shitja e tyre, shumë që do t’i jepte Barcelonës mundësinë për të investuar në një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv. Vlera e Gavit në tregun e transferimeve përllogaritet rreth 50 milionë euro, ndërsa Alejandro Balde vlerësohet në 40 milionë euro. Në krahun tjetër, Frenkie de Jong ka një vlerë të përafërt prej 60 milionë eurosh. Në total, largimi i treshes mund t’i sigurojë klubit shumën e nevojshme për të financuar projektin e ri.
Harry Kane, objektivi i madh i Barcelonës
Emri që kryeson listën e dëshirave të drejtuesve katalanas është Harry Kane. Sulmuesi anglez i Bayern Munich konsiderohet një profil ideal për të udhëhequr repartin ofensiv të Barcelonës dhe për t’i dhënë skuadrës më shumë forcë në fazën sulmuese.
Megjithatë, transferimi i tij nuk pritet të jetë një operacion i lehtë. Barcelona do të shqyrtojë mundësinë e afrimit të Kane vetëm nëse sulmuesi vendos të mos rinovojë kontratën me klubin bavarez, e cila përfundon në qershor të vitit 2027.
Ndërkohë, katalanasit kishin tentuar edhe më parë të përforconin sulmin me një tjetër emër të madh. Gjatë verës së kaluar, Barcelona u përpoq të siguronte shërbimet e Julián Álvarez nga Atlético Madrid, por negociatat nuk përfunduan me sukses, pasi klubi madrilen refuzoi të lejonte largimin e sulmuesit argjentinas.
Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Deco do të jetë në gjendje të realizojë planin e tij ambicioz. Një merkato me tre largime të rëndësishme dhe një goditje të madhe në sulm mund të ndryshojë ndjeshëm fytyrën e Barcelonës për sezonin e ardhshëm./BS










