BallinaSportiDëmtimi në kofshë i ndërpret garën në Botëror, Briken Calja tërhiqet nga...

Dëmtimi në kofshë i ndërpret garën në Botëror, Briken Calja tërhiqet nga Kampionati Botëror i Peshëngritjes

-

Peshëngritësi shqiptar Briken Calja është detyruar të tërhiqet nga Kampionati Botëror i Peshëngritjes, që po zhvillohet në Kinë, për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe në pjesën e mesit. Një vendim i vështirë për kampionin kuqezi, i cili ishte në formë të shkëlqyer sportive dhe kishte përgatitur me shumë përkushtim këtë aktivitet.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë sportisti përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku ka sqaruar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. Pavarësisht dëshirës për të garuar dhe për të përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, Calja ka zgjedhur të mos rrezikojë përkeqësimin e dëmtimit, duke vendosur shëndetin dhe vazhdimësinë e karrierës mbi një garë të vetme. Në mesazhin e tij, peshëngritësi shprehet se tërheqja nuk ishte aspak e lehtë, veçanërisht pas punës së madhe, sakrificave dhe përgatitjes intensive për këtë kampionat. Megjithatë, ai thekson se një sportist nuk e ndërton karrierën mbi një kompeticion të vetëm dhe se në këtë moment është më e rëndësishme të shmangë një dëmtim që mund ta mbajë për një kohë të gjatë larg pedanës.

“Ky nuk është dorëzim, por një vendim i menduar për të mbrojtur gjithçka që kam ndërtuar dhe për të vazhduar rrugëtimin dhe objektivat e mia”, shkruan Calja në reagimin e tij.

Sportisti shqiptar shikon tashmë drejt sfidave të ardhshme, me synimin për t’u rikthyer sa më shpejt në formën optimale dhe për të vijuar karrierën e tij sportive. Pavarësisht zhgënjimit që sjell kjo tërheqje, mesazhi i Briken Caljes është i qartë: beteja nuk përfundon këtu. Legjenda e peshëngritjes kuqezi premton rikthimin në pedanë më i fortë dhe më i vendosur se kurrë./BW

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Pengjet e Bosforit dhe Çmimi i Fshehur i Pavarësisë: Shkrimi i...

0
Nga Evarist Beqiri Aktet e mëdha nuk shkruhen me poezi. Ato paguhen me fatura të rënda njerëzore. Gjatë analizës së rrugëtimit politik të Ismail Qemal...