TIRANË – Kryeqyteti është përfshirë nga tensionet që prej orëve të paradites, në ditën e dytë të protestës që nisi para godinës së Ministrisë së Arsimit. Situata është përshkallëzuar gjatë orëve të mbrëmjes, kur policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve në zona të ndryshme të Tiranës. Një pjesë e protestuesve janë rikthyer sërish në afërsi të Kryeministrisë, ku uniformat blu kanë ndërhyrë për të shoqëruar disa prej personave të përfshirë në protestë.
Incidente në zonën e “21 Dhjetorit”
Situata më e tensionuar është raportuar në zonën e “21 Dhjetorit”, ku policia ka shoqëruar tre persona. Sipas informacioneve paraprake, në këtë zonë është krijuar kaos për shkak të numrit të lartë të protestuesve dhe hedhjes së gurëve në drejtim të policisë.
Përballë situatës së krijuar, forcat e policisë kanë ndërhyrë intensivisht për të identifikuar dhe shoqëruar personat e përfshirë në incidente.
Shoqërime edhe pranë Rrugës së Elbasanit
Lëvizjet e policisë nuk janë kufizuar vetëm në zonën e “21 Dhjetorit”. Shoqërime të protestuesve janë kryer edhe pranë Rrugës së Elbasanit, ndërsa situata në kryeqytet vijon të mbetet e tensionuar.
Ndërkohë, në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë, deri në momentet e raportimit, bëhet me dije se janë ndaluar rreth 70 persona.
Protesta vijon të shoqërohet me tensione dhe ndërhyrje të policisë në disa zona të kryeqytetit, ndërsa priten informacione të mëtejshme mbi zhvillimet dhe numrin e personave të shoqëruar, transmeton euronewsal.










