BallinaKultura"ARKIPELAGË TË PËRGJUMUR" - SODITJE  MES VARGJEVE DHE NUANCAVE

“ARKIPELAGË TË PËRGJUMUR” – SODITJE  MES VARGJEVE DHE NUANCAVE

-


Nga Angela Kosta

Libri poetik “Arkipelagë të Përgjumur” i autores italiane Giuliana Donzello, i cili sapo ka parë dritën e botimit në gjuhën shqipe, shfaqet në panoramën e letërsisë shqiptare me 100 poezi. Kjo vepër përfaqëson një udhëtim të gjerë në botën poetike të autores italiane, një udhëtim që tashmë mund të përjetohet edhe nga lexuesi shqiptar falë përkthimit të promovueses Kosta. Libri u botua në Tiranë nga Fast Print network, me botuese Semi Haxhiu, duke sjellë në hapësirën shqiptare një zë të rëndësishëm të letërsisë italiane bashkëkohore.

Por ky botim ka edhe një veçanti tjetër, jashtëzakonisht të rëndësishme nga pikëpamja artistike: kopertina e librit është realizuar mbi bazën e artit të Paride Biancos, piktorit të njohur italian dhe bashkëshortit të Giuliana Donzellos. Vepra e artit në kopertinë titullohet: “Der Tanz der Elfen”, dhe pikërisht këtu libri fiton një dimension të dytë, pasi nuk kemi më vetëm një libër me poezi, por kemi një takim mes fjalës dhe ngjyrës, mes poetes dhe piktorit, mes Giuliana Donzellos dhe Paride Biancos, mes dy formave të ndryshme të artit që, në këtë botim, takohen në një hapësirë të vetme. Njëqind poezitë e këtij vëllimi nuk duhet të shihen vetëm si një numër. Ato përbëjnë një strukturë të gjerë poetike, përmes së cilës lexuesi mund të ndjekë mënyrën se si Donzello e vëzhgon botën, njeriun, kujtesën, historinë, dhimbjen dhe shpresën.

Poezia e saj nuk qëndron e mbyllur në një botë abstrakte; ajo komunikon me realitetin.

Donzello e sheh njeriun në situata të vështira, përballet me plagët e historisë dhe kërkon, përmes fjalës, të ruajë atë që rrezikon të humbasë: kujtesën, dinjitetin dhe ndjeshmërinë njerëzore. Në disa poezi të Donzellos, të cilat i kam përkthyer edhe më herët në shqip, shfaqen tema të forta të fëmijërisë, udhëtimit, luftës dhe dhimbjes njerëzore. Poezi si “Djalosh që vrapoje”, “Zaporizha”, “Yana” dhe “Gruaja nga Dnipro”, dëshmojnë një poezi që nuk largohet nga tragjeditë e kohës, por i përballon ato përmes një gjuhe të ngjeshur dhe thellësisht njerëzore. Ja pse, 100 poezitë e këtij libri mund të lexohen si 100 dritare, sepse gjithësecila hap një pamje, sjell një emocion. Çdo poezi mund të bëhet një vend reflektimi. Giuliana Donzello është një figurë e lidhur ngushtë jo vetëm me poezinë, por edhe me kritikën e artit, studimin dhe kulturën.

Formimi i saj në fushën e letërsisë dhe të arteve, si dhe përvoja e saj në kërkim e në mjedise kulturore, kanë ndikuar në mënyrën e veçantë se si ajo e ndërton universin e saj krijues. Në poezinë e saj ndihet syri i një studiueseje të artit, por mbi të gjitha shpirti i një poeteje.
Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse Donzello nuk e sheh realitetin vetëm për ta përshkruar. Ajo e vëzhgon atë, e analizon, e përjeton dhe më pas e rikthen në formën e vargut. Pikërisht kjo e bën poezinë e saj një hapësirë ku bashkëjetojnë emocioni dhe meditimi. Dhe këtu vjen një nga elementet më interesante të këtij botimi: Paride Bianco. Emri i tij nuk është thjesht shënim në kopertinën e këtij libri. Bianco është një artist i njohur me një rrugëtim shumë të gjatë dhe të veçantë. Formimi i tij artistik është zhvilluar në mënyrë autodidakte, përmes një pune të vazhdueshme studimore dhe një kërkimi personal mbi historinë e artit, figurën, ngjyrën dhe materialin. Në vitin 1970 ai u martua me Giuliana Donzello, ndërsa bashkëpunimi i tyre artistik dhe kulturor do të bëhej një element i rëndësishëm i rrugëtimit të të dyve. Bianco ka ndërtuar gjatë dekadave një gjuhë personale artistike, të lidhur fort me ngjyrën dhe materialin.

Puna e tij është zhvilluar nëpër periudha të ndryshme artistike dhe ka përfshirë neofiguracionin, ekspresionizmin abstrakt dhe kërkime të tjera mbi mundësitë shprehëse të pikturës. Në vitin 1971, ai mori çmimin prestigjioz nga Bashkia e Venecias për veprën “Njeriu i borgjezisë”, e cila sot, ndodhet në Galerinë e Artit Modern, (Pesaro). Rrugëtimi i tij artistik vazhdoi me ekspozita dhe pjesëmarrje të shumta, duke përfshirë edhe prezantime ndërkombëtare, Muzeu Giovanni Fattori në Livorno e ka prezantuar Paride Biancon si piktor venecian dhe si një artist të lidhur me kërkimin mbi materialin, ngjyrën dhe konceptin, ndaj, kur vështrojmë kopertinën e librit të Giuliana Donzellos, duhet ta shohim atë edhe në këtë kontekst. Kopertina e këtij libri ka një domethënie të veçantë. Ka të bëjë me veprën e Paride Biancos, bashkëshortit të autores, pasi kjo përzgjedhje krijon një marrëdhënie të natyrshme midis dy botëve krijuese. Giuliana shkruan me fjalë, Paride pikturon me ngjyra. Ajo ndërton imazhe përmes vargut. Ai ndërton emocione përmes ngjyrës dhe materialit. Ajo krijon atmosferën përmes ritmit poetik. Ai e krijon përmes kompozimit, shenjës dhe sipërfaqes së pikturës. Dhe kopertina bëhet pika kulminante në të cilën këto dy gjuhë artistike bashkohen. Dua të theksoj se kjo nuk është vetëm një zgjedhje grafike, por është një zgjedhje me shumë kuptim.
Është sikur libri shprehet që, përpara se lexuesi të hapë faqen e parë, poezia dhe piktura tashmë kanë filluar të komunikojnë midis tyre.
Kam shkruar edhe më parë lidhur mbi historinë e Giuliana Donzellos dhe Paride Biancos; është veçanërisht interesante sepse bëhet fjalë për dy njerëz që kanë ndërtuar jetën e tyre përkrah njëri-tjetrit dhe njëkohësisht në shërbim të artit. Vetë biografia artistike e Biancos thekson rëndësinë e Giuliana Donzellos në rrugëtimin e tij.

Ajo nuk ka qenë vetëm bashkëshortja e tij, por
ka qenë studiuese, kritike arti dhe autore që ka ndjekur nga afër zhvillimin e veprës së tij. Në fakt, një pjesë e rëndësishme e dokumentimit dhe interpretimit të veprës së Paride Biancos lidhet me punën intensive të bashkëshortes së tij. Biografia zyrtare e artistit është hartuar nga Donzello, ndërsa ka organizuar dhe prezantuar shumë prej ekspozitave të tij. Kjo marrëdhënie është një shembull i veçantë i bashkëjetesës krijuese. Janë dy njerëz, dy disiplina, dy mënyra të shprehjes, por me një pasion të përbashkët: artin. Një nga dëshmitë më interesante të këtij dialogu është edhe vepra “Poetika dhe lënda”, e redaktuar nga Giuliana Donzello.

Botimi dokumenton një rrugëtim artistik prej më shumë se gjashtë dekadash dhe e vendos në qendër kërkimin e Biancos mbi materialin, ngjyrën dhe shprehjen artistike. Edhe vetë titulli është mjaft domethënës: “Poetika e lëndës”. Pra, poetikë edhe në pikturë. Kjo na kthen sërish te libri i sapo botuar i Giuliana Donzellos: “Arkipelagë të Përgjumur”, sepse këtu ndodh e kundërta: poezia e Giulianës harmonizohet në kopertinë me nuancat e pikturës së Biancos. Edhe në këtë rast, lei interpreton artin e bashkëshortit, dhe anasjelltas, arti i Parides shoqëron poezinë e bashkëshortes. Ky është një dialog i bukur dhe i rrallë mes dy formave të krijimtarisë. Në këtë takim mes letërsisë dhe pikturës, një rol të rëndësishëm ka edhe prurja e librit në gjuhën shqipe. Përkthimi i poezisë është një nga sfidat më të mëdhaja në letërsi. Nuk mjafton të përkthehet kuptimi, pasi duhet të përkthehet edhe tingulli muzikor, duhet të ruhet emocioni, duhet të përcillet imazhi e mbi të gjitha duhet të ruhet ritmi i brendshëm shpirtëror. Duhet patjetër që poezia, pasi të kalojë në një gjuhë tjetër, të mos duket si një tekst i huaj, i pakuptueshëm, por duhet të duket sikur ka lindur përsëri. Ndaj sot, kam sjell në gjuhën shqipe jo vetëm 100 tekste poetike, por një botë të tërë shpirtërore të autores italiane Giuliana Donzello.

Dhe kjo nuk është hera e parë që unë merrem me poezinë e Donzellos. Poezitë e saj, i kam publikuar edhe më parë në shqip, për këtë libri i ri mund të shihet si kulmimi i një dialogu letrar që ka nisur më herët. Mendoj se çdo përkthim i arrirë është një urë, por përkthimi poetik është një urë akoma më e brishtë dhe më e ndërlikuar, sepse përkthyesi duhet të kalojë jo vetëm fjalët, por edhe kulturën që fshihet pas tyre. Në këtë rast, ura lidh dy popuj: Italinë me Shqipërinë; Venecian me Tiranën, poezinë italiane me lexuesin shqiptar, dhe, përmes kësaj ure, 100 poezi të Giuliana Donzellos hyjnë në një hapësirë të re kulturore, ja pse ky është një kontribut i rëndësishëm për letërsinë shqiptare. Nëse e shohim librin nga kjo perspektivë, ai mund të lexohet në tri nivele. Së pari, si 100 poezi që ndërtojnë botën e brendshme të autores. Së dyti, si dokument kulturor, (një autore italiane që vjen në gjuhën shqipe dhe hyn në dialog me lexuesin shqiptar). Së treti, si një takim i artit poetik me artin pamor. Kopertina e Paride Biancos e bën këtë dimension të dukshëm që në vështrimin e parë dhe kjo është ajo, që ndoshta i jep këtij botimi një identitet të veçantë. Ky vëllim poetik është një nga ato libra që mund të lexohen pa nxitim: një poezi sot, një tjetër nesër, pasi ndonjëherë poezia ka nevojë edhe të përjetohet, madje t’i lejohet të qëndrojë, e pse jo të kthehet sërish… dhe, në këtë proces, edhe kopertina e Paride Biancos merr një rol simbolik: ajo e përgatit lexuesin për një botë ku vargu nuk është vetëm vargëzim, por është edhe imazh, ndjenjë dhe nuancë.

Në librin “Arkipelagë të Përgjumur”, bashkohen tre emra që përfaqësojnë role të ndryshme:

1. Giuliana Donzello: poetja dhe autorja.

2. Paride Bianco: piktori dhe krijuesi i artit që lidhet me identitetin pamor të librit.

3. Përkthyesja që e sjell veprën në shqip.

Secili nga ne ka rolin e tij, por rezultati është një i vetëm: ky libër… Ky libër ku fjala italiane përcillet në shqip, ku poezia takohet me pikturën dhe ku një histori e gjatë artistike familjare merr një formë të re në Tiranë. Botimi i 100 poezive të Giuliana Donzellos në gjuhën shqipe, meriton vëmendje në veprimtarinë kulturore shqiptare, sepse letërsia nuk pasurohet vetëm nga veprat e reja që shkruhen në gjuhën tonë. Ajo pasurohet edhe nga veprat e mëdha që sjellim në gjuhën tonë. Përkthimi zgjeron horizontin; ai na lejon të dëgjojmë zëra të tjerë, të shohim botë të tjera, të kuptojmë kultura të tjera, dhe mbi të gjitha, të zbulojmë se sa shumë gjëra na bashkojnë. Libri i Giuliana Donzellos me 100 poezi, është më shumë se një vëllim poetik, është një dëshmi e fuqisë së përkthimit, është horizont, ku poezia e Donzellos mund të takohet jo vetëm me lexuesin shqiptar, por edhe mbarë diasporën. Siç e përmenda më lart, kopertina e këtij libri nuk është thjesht një imazh, por është sipar në universin e librit, është thirrje për të zhbiruar përpara se të lexosh, dhe ndoshta kjo është mënyra më e bukur për ta përshkruar këtë vepër: Giuliana Donzello shkruan me fjalë, Paride Bianco flet me ngjyra, dhe unë jam munduar ta sjell këtë dialog në gjuhën shqipe, drejt një takimi artistik, kulturor, shqiptar. Ky është portreti: njëqind poezi, një pikturë, dy artistë, e, mbi të gjitha, një urë e re mes dy kulturave. Ja pse ky libër vjen jo vetëm si një botim i ri letrar, por si një dëshmi se arti i vërtetë sodit me vëmendje çdo detaj. Ai udhëton, dhe këtë herë, udhëtimi i tij ka mbërritur në letërsinë  tonë shqipe.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ambasadori Ylber Sela – një zë i fuqishëm i përfaqësimit dhe...

0
Përgatiti Dashnim Hebibi Berlin – Me ftesë të Shkëlqesisë së Tij, Prof. Dr. Ylber Sela, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën Federale...