Nga Rafaela Prifti
Kur melodia e veçantë e culëdyjares depërton në zemër të Amerikës, mirënjohja jonë e përbashkët i takon atyre që ia kushtuan jetën muzikës tradicionale shqiptare. Gjatë muajve shtator dhe tetor, iso-polifonia dhe cylja dyjare janë integruar në programin artistik të festivaleve të traditës dhe takimeve të komunitetit shqiptar në Florida, Nju York, Pensilvani, Masaçusets etj. Ndër studiuesit më të njohur dhe autoritarë të cyles-dyjare dhe i instrumenteve muzikore popullore shqiptare është Prof. Ramadan Sokoli, i cili konsiderohet edhe themeluesi i etnomuzikologjisë shqiptare. Gjatë jetës së tij, ai mblodhi, klasifikoi dhe studioi me hollësi veglat muzikore tradicionale, përfshirë cylën dyjare, e njohur si longari në disa zona të Jugut.
Prof. Ramadan Sokoli (1920-2008) ka analizuar origjinën e lashtë ilire të këtij instrumenti dy-gajtanësh, strukturën e tij akustike dhe përhapjen gjeografike, kryesisht në krahinën e Labërisë dhe zonat jugperëndimore. Në librat e tij studimorë, si “Veglat Muzikore të Popullit Shqiptar”, ai ofron përshkrimin më të plotë teknik dhe historik mbi mënyrën e ndërtimit dhe interpretimit të saj.
Përballë vështirësive nën regjimin komunist, ai vijoi të krijonte dhe punonte si kompozitor, muzikant, pedagog, shkrimtar, duke na dhënë vepra të rëndësishme që dëshmojnë gjerësinë e jashtëzakonshme të interesave të tij. Pas vdekjes Prof. Sokoli është vlerësuar për punën e tij titanike në dokumentimin e kulturës shqiptare. Çmimi madhor iu dha pas ndarjes nga jeta në 2008 në qytetin e Foxhias (Foggia) në Itali. Titulli “Oskari Botëror i Folklorit” jepet nga Bashkimi Ndërkombëtar i Federatave të Grupeve Folklorike (IGF – International Union of Folklore Associations / Union Internationale des Fédérations de Groupes Folkloriques), institucioni më i rëndësishëm global për ruajtjen e traditave popullore i krijuar që në vitin 1949. Në analogji me çmimet “Oscar” të Hollivudit, titulli vlerëson ekskluzivisht kontributet e jashtëzakonshme në muzikologji, etnofolklor dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore botërore.
Muzikanti, kompozitori, shkrimtari, pedagogu dhe etnomuzikologu shqiptar, Ramadan Sokoli ia kushtoi gjithë jetën njohjes, dokumentimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë muzikore shqiptare. Ai ishte studiues i muzikës, por edhe mbledhës i palodhur i kujtesës sonë kulturore përmes kërkimeve të tij mbi këngën, vallen, veglat muzikore, polifoninë dhe traditat e popullit shqiptar. Duke komentuar një fotografi të rrallë të vitit 1945, ku shihen Ramadan Sokoli me Musine Kokalarin, akademiku Vasil S. Tole vëren se të dy i lidhte interesimi për trashëgiminë kulturore shpirtërore. Në këtë kontekst, ai e cilëson Prof. Sokolin si ekspertin më të përshtatshëm për çështjet e polifonisë gjirokastrite, për të cilat Musine Kokalari kërkonte këshillimin e tij.
Shumë studiues shqiptarë dhe të huaj, ndër ta Vasil Tole, Bardhosh Gaçe, Eno Koço, Nicola Scaldaferri etj., dhe bija e tij Mirlinda Sokoli-Duma kanë vlerësuar dhe trajtuar veprën dhe kontributin e Prof. Ramadan Sokoli. Opusi i tij është një udhërrëfyes i çmuar për njohjen dhe ruajtjen e identitetit tonë shpirtëror. Si simbol i gjallë i kulturës baritore shqiptare, njohja dhe përfshirja e cylëdyjares në UNESCO do përbënin një vijim të linjës së punës së Ramadan Sokolit në shërbim të trashëgimisë sonë muzikore. /GD










