Berlin, 8 shtator 2026 – Për herë të parë, një kompani nga Maqedonia e Veriut siç mëson helveticALforum.ch u prezantua në kuadër të Westbalkan-Salon, një prej formateve të rëndësishme për dialogun ekonomik, investimet dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Edicioni i 30-të i Westbalkan-Salon u zhvillua më 8 shtator në Klubin Ndërkombëtar të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Berlin, duke mbledhur përfaqësues të diplomacisë, institucioneve ekonomike dhe komunitetit të biznesit nga Gjermania dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me iniciativën e Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut, Prof. Dr. Ylber Sela, në këtë format ndërkombëtar u prezantua për herë të parë Veraria Tikveš, një nga emrat më të njohur të industrisë së verës në vend. Gjatë aktivitetit, përfaqësuesi i Verarisë Tikveš, Koce Ivanovski, prezantoi kompaninë, aktivitetin e saj dhe verërat e prodhuara në Maqedoninë e Veriut. Prezantimi shërbeu si një mundësi për të promovuar produktet maqedonase përpara një audience të përbërë nga diplomatë, përfaqësues të institucioneve ekonomike dhe aktorë të rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në mesin e pjesëmarrësve ishin Antje Wandelt, delegate e DIHK-ut për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën; Karlfried Bergner, Ambasador i Gjermanisë në Shqipëri; Petra Drexler, Ambasadore e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut; Edgar Gansen, Ambasador i Gjermanisë në Mal të Zi; Alfred Granas, Ambasador i Gjermanisë në Bosnjë dhe Hercegovinë; Anke Holstein, Ambasadore e Gjermanisë në Serbi; Rainer Rudolf, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, si dhe Dr. Nicole Renwerth nga DIHK, e cila moderoi aktivitetin.

Prezenca e Tikveš në Westbalkan-Salon përfaqëson një hap të rëndësishëm në promovimin e produkteve dhe kapaciteteve të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut në tregun gjerman dhe atë ndërkombëtar. Pjesëmarrja në një platformë të tillë nuk ka vetëm rëndësi për sektorin e verërave, por edhe për imazhin më të gjerë ekonomik të vendit. Prezantimi i kompanive maqedonase në ambiente ku takohen përfaqësues të biznesit, diplomacisë dhe institucioneve ekonomike krijon mundësi të reja për partneritete, investime dhe bashkëpunim ndërkufitar.
Në këtë drejtim, iniciativa të tilla kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë, si dhe në promovimin e vendit si destinacion për investime, bashkëpunim biznesi dhe turizëm. Prezenca e Tikveš në Berlin dërgon një mesazh të qartë: produktet maqedonase kanë potencial të jenë pjesë e platformave të rëndësishme ndërkombëtare dhe të prezantohen përpara partnerëve të rinj ekonomikë në Evropë, transmeton Ambasada e RMV në Gjermani, përcjell helveticALforum.ch.










