Botoi “Faik Konica”, Prishtinë, faqe 594.
Në këtë studim voluminoz historiografik trajtohet çështja shqiptare nga Kriza Lindore e deri te Konferenca e Paqes e Parisit. Libri, që për moto ka rrënjët e një kapërcimi historik, ka tri pjesë.
Pjesa e Parë “SHQIPRARIZMI MIDIS ISLAMIZMIT DHE OSMANIZMIT” përfshinë kapitujt: “Islamizmi dhe shqiptarizmi” dhe “Osmanizmi dhe shqiptarizmi”.
Pjesa e dytë “SHFAQJA E SHQIPËRISË EVROPIANR” përfshinë kapitullin – “Konferenca e Londrës dhe pavarësia e Shqipërisë”.
Në pjesën e tretë botohet në tërësi dhe për herë të parë “Memorandumi për Shqipërinë” i Princ Vidit i shkruar në vitin 1917, ku ai shpreh pikëpamjet për dështimin e mbretërisë gjashtëmujore në Shqipëri në vitin l914 si dhe pikëpamjet se si do të duhje që të zgjidhej çështja shqiptare në përputhje me të drejtën historike dhe etnike që posedojnë shqiptarët.
Në këtë studim u hapet rruga shumë rishqyrtimeve, që janë të domosdoshme për rishkrimin e historisë së shqiptarëve jashtë kurthit ideologjik dhe klisheve folklorike.
Kjo paralajmërohet edhe nga parathënia me ato që autori thotë se “Shqipëria Osmane si projekt politik, dhe Shqipëria Evropiane si koncept i ideologjisë nacionale të shqiptarëve, të prodhuara nga mendësia e Rilindjes Kombëtare dhe filozofia politike që do të dalë prej saj, thuajse lindën në të njëjtën kohë dhe në përputhje me të njëjtin qëllim. Ato madje ushqyen njëra tjetrën dhe krijuan platformën reale mbi të cilën do të ndërtohet koncepti i ardhmërisë jo gjithaq të qartë të shqiptarëve që nga rrethanat e Krizës Lindore e deri te luftërat ballkanike, kur edhe do të shfaqet shteti i pavarur shqiptar. Shikuar nga ky këndvështrim, mund të thuhet se zgjimi kombëtar shqiptar jashtë formulës së Shqipërisë Osmane jo vetëm që nuk do të ishte i mundur, por do ta parandalonte në përgjithësi procesin e lindjes së shtetit shqiptar, ngaqë atij do t’i mungonte komponenti i bashkimit të brendshëm, i cili duhej të kalonte nëpër ndasitë fetare, ato krahinore dhe dallimet tjera, që duhej përballuar doemos. Andaj, nuk është për t’u habitur pse ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, për të arritur deri te pika e kthesës historike, doemos se duhej të ishin islamistë (Sami Frashëri), ose osmanistë (nga Abdyl Frashëri e deri te Ismail Qemaili, Hasan Prishtina e të tjerë), në mënyrë që të luftonin edhe për çështjen shqiptare. Ky pozicionim me të drejtë çështjen shqiptare dhe problematikën e saj, që nga Kriza Lindore e deri tek Luftërat Ballkanike, e nxjerrë si të veçantë, prej nga mund të thuhet se tretmani i status quo-s nëpër të cilën do të kalojë Perandoria Osmane nga Kongresi i Berlinit e deri te disfata nga Aleanca Ballkanike, do t’i shkojë për shtati asaj.”/JB










