Përgatiti Dashnim Hebibi, Zürich
Më 20 maj 2026 në Berlin, Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i RMV -së Prof. Dr. Ylber Sela, mori pjesë në edicionin e 27-të të “Salonit të Ballkanit Perëndimor”, një aktivitet i rëndësishëm i organizuar nga Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë në kuadër të dialogut për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian. Ky forum tashmë është shndërruar në një platformë të rëndësishme diplomatike ku diskutohen sfidat, perspektivat dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në panelin kryesor të diskutimit morën pjesë drejtori për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme Federale të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, si dhe ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e proceseve integruese dhe rolin strategjik të Gjermanisë në mbështetjen e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrja e Ambasadorit Prof. Dr. Ylber Sela në këtë ngjarje të rëndësishme dëshmoi edhe një herë rolin aktiv dhe serioz që ai luan në përfaqësimin diplomatik të vendit. Gjatë aktivitetit u vlerësua lart kontributi i Michael Reiffenstuel, i cili gjatë mandatit të tij ka mbështetur fuqishëm proceset demokratike dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në qarqet diplomatike dhe institucionale gjermane, Shkëlqesia e Tij Prof. Dr. Ylber Sela po gëzon një autoritet dhe respekt të veçantë. Angazhimi i tij i vazhdueshëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Gjermanisë është vlerësuar pozitivisht jo vetëm nga institucionet gjermane, por edhe nga mërgata e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, e cila e sheh atë si një zë të fuqishëm dhe përfaqësues dinjitoz të interesave të tyre. Me profesionalizmin, qasjen akademike dhe aktivitetin e tij të pandërprerë diplomatik, Ambasadori Sela ka arritur të krijojë ura të forta komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione të ndryshme gjermane, duke forcuar pozitën dhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ai konsiderohet si një ndër figurat më aktive diplomatike që kontribuon në afrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor me strukturat evropiane.

“Saloni i Ballkanit Perëndimor” konfirmoi edhe një herë rëndësinë e dialogut politik dhe diplomatik në funksion të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian të rajonit, ndërsa prania dhe angazhimi i Ambasadorit Prof. Dr. Ylber Sela u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në këtë drejtim.




