POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori i Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, prezanton kumtesë në Konferencën e EUSAAP në Tokio

TOKIO – Siç njofton HelveticALForum.ch, ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, mori pjesë në Konferencën e Shoqatës Azi-Paqësore për Studimet e Bashkimit Evropian (European Union Studies Association Asia Pacific – EUSAAP), e cila u mbajt për dy ditë radhazi në Universitetin Hitotsubashi në Tokio.

Konferenca e sivjetme u zhvillua nën temën “Bashkimi Evropian në Epokën e Turbulencave, Krizave dhe Përtej Tyre”, duke mbledhur studiues, diplomatë dhe ekspertë nga vende të ndryshme të rajonit Azi-Paqësor dhe Evropës për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e Bashkimit Evropian në kontekstin global.

Në panelin kushtuar rolit të Evropës në rajonin e Indo-Paqësorit, ambasadori Kiçmari prezantoi kumtesën me titull “Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ishujve të Paqësorit: Bashkëpunimi Zhvillimor, Mbrojtja e Mjedisit dhe Angazhimi për Siguri”.

Gjatë prezantimit të tij, ai trajtoi zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ishujve të Paqësorit, duke analizuar dimensionet e bashkëpunimit zhvillimor, mbrojtjes së mjedisit dhe sigurisë rajonale. Ndërkaq, në diskutimin me pjesëmarrësit, ambasadori foli edhe për raportet e Republikës së Kosovës me shtetet e rajonit të Paqësorit, duke ndarë përvoja dhe vlerësime të bazuara në më shumë se trembëdhjetë vjet angazhim diplomatik në këtë pjesë të botës. Pjesëmarrja e ambasadorit Kiçmari në këtë konferencë u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në promovimin e perspektivës së Kosovës në debatet akademike dhe diplomatike ndërkombëtare, si dhe në forcimin e dialogut me partnerët në rajonin Azi-Paqësor.

Në përfundim, Prof. Dr. Sabri Kiçmari shprehu falënderimet e tij për profesorin Yuichi Hosoya për udhëheqjen profesionale të panelit dhe për krijimin e një atmosfere të hapur dhe frymëzuese për diskutim akademik, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB