POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori Ermal Dredha forcon bashkëpunimin ekonomik Shqipëri–Zvicër në Asamblenë e SEC në Bussnang

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Switzerland, Ermal Dredha, mori pjesë në Asamblenë e 28-të të Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë Swiss-Central Europe Chamber of Commerce, e zhvilluar në ambientet e kompanisë prestigjioze zvicerane të hekurudhave Stadler Rail në Bussnang.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues institucionalë, drejtues të biznesit dhe pjesëtarë të trupit diplomatik nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke u shndërruar në një platformë të rëndësishme diskutimi mbi zhvillimet ekonomike rajonale dhe sfidat aktuale të tregjeve evropiane.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë aktivitet, ambasadori Dredha zhvilloi takime të veçanta me Presidentin dhe Drejtorin Ekzekutiv të SEC, Oliver Bertschinger, si dhe me Philipp Brunner. Në fokus të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe sektorit industrial zviceran, si dhe mundësitë konkrete për zgjerimin e investimeve dhe lidhjeve tregtare.

Sipas njoftimeve zyrtare, diskutimet prekën edhe prioritetet strategjike të Dhomës së Tregtisë Zvicër – Evropa Qendrore, ndikimin e zhvillimeve gjeopolitike në ekonominë evropiane, si dhe sfidat me të cilat po përballen zinxhirët e furnizimit dhe industria në rajon.

Një pjesë e rëndësishme e takimeve iu kushtua sektorit hekurudhor shqiptar dhe mundësive për modernizimin e tij. Në këtë kuadër, ambasadori Dredha dhe drejtuesi i Stadler Rail, Philipp Brunner, u dakordësuan për zhvillimin e një takimi të mëtejshëm, ku do të diskutohet më konkretisht mbi interesin e palës shqiptare për blerjen e trenave të prodhuar nga kompania zvicerane.

Ky zhvillim konsiderohet si një hap i rëndësishëm në kuadër të diplomacisë ekonomike shqiptare dhe përpjekjeve për tërheqjen e investimeve strategjike në infrastrukturë dhe transport publik. Bashkëpunimi me kompani të njohura ndërkombëtare si Stadler Rail pritet të kontribuojë në modernizimin e transportit hekurudhor në Shqipëri dhe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, transmeton Ambasada e Shqipërisë në Zvicër, përcjell helveticALForum.ch.

#Shqipëri#Zvicër#SEC#StadlerRail#DiplomaciEkonomike#Railway#Investime#BashkëpunimEkonomik

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB