BallinaEKSKLUZIVEDokumenti i panjohur i Arkivit Osman: Vendimi i Gjykatës së Stambollit që...

Dokumenti i panjohur i Arkivit Osman: Vendimi i Gjykatës së Stambollit që dënoi me vdekje Ismail Qemalin më 1901

-

Nga Evarist Beqiri

​Pavarësia e Shqipërisë u ngjiz si një përplasje e pamëshirshme ligjore e gjeopolitike mes një burrështetasi dhe një perandorie. Dokumentet e Arkivit Osman zbardhin një të vërtetë të ftohtë: Stambolli e dinte se Ismail Qemal Vlora po projektonte shtetësinë shqiptare që në vitin 1901. Sipas burimeve turke, më 18 Maj 1901, Gjykata Penale e Stambollit shpalli dënimin më të rëndë për atë që e cilësonte “i arratisuri nga Vlora”. Në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, të nënshkruar nga Ministri Abdurrahman Nureddin Pasha, Ismail Qemali dënohet me vdekje në mungesë (neni 54 i Kodit Penal), shoqëruar me përjashtimin nga shërbimi civil dhe sekuestrimin e të gjitha pasurive.

​Arsyetimi i akuzës përbën një gjetje kapitale për historiografinë tonë. Bazuar në raporte sekrete të inteligjencës nga Berlini deri në Egjipt, Gjykata e Apelit osman e shpalli fajtor për: 1. Përpjekje për të krijuar një principatë në Shqipëri; 2. Orvatje për shkëputjen e shqiptarëve nga administrata e Portës së Lartë; 3. Ndërtim aleancash rajonale dhe shpërndarje materialesh subversive në Europë.

​Përtej klishesë së “diplomatit të salloneve”, ai kishte dhënë prova si një guvernator reformator i dorës së parë. Tashmë, Ismail Qemal Vlora ishte për Kostandinopojën truri i një lëvizjeje separatiste kombëtare, i cili po përdorte azilin dhe rrjetet ndërkombëtare për të izoluar diplomacinë osmane. Akuzat se po ftonte shqiptarët në aleancë strategjike me grekët për të frenuar ekspansionin sllav dëshmojnë llogaritjen e tij të ftohtë gjeopolitike.

​Dënimi me vdekje nuk e izoloi Themeluesin; përkundrazi, e detyroi atë të luante më fort në skenën e madhe diplomatike evropiane. I mbetur pa pasuri dhe pa poste, Ismail Qemali përdori armën e tij më të fortë: diplomacinë publike. Ai nisi një fushatë intensive në mediat më të mëdha evropiane, duke u shpjeguar kancelarive perëndimore se Shqipëria nuk ishte thjesht një provincë besnike myslimane e Turqisë, por një komb me identitet europian që kërkonte autonomi dhe reforma.

​Në vitet 1900–1908, ai botoi një sërë shkrimesh ku dënonte keqqeverisjen osmane në Ballkan. Dënimi me vdekje e rriti jashtëzakonisht prestigjin e tij mes shqiptarëve të mërgatës. Ai u bë pika ku konvergonin komitetet shqiptare të shpërndara nëpër Europë. Nga Londra, Parisi, Brukseli, Vjena e Roma e deri te arbëreshët e mërgata në Bukuresht e Sofje, ai e ktheu çështjen shqiptare nga një problem i brendshëm osman në një çështje të ekuilibrit europian. Në zemër të Europës, ai krijoi lidhjet dhe fitoi përvojën që do t’i shërbenin 11 vite më vonë për të bindur Fuqitë e Mëdha të njihnin Shqipërinë e Pavarur.

​Akti i vitit 1912 u pagua me faturën e hekurt të një lideri që pranoi të jetonte nën dënim me vdekje për t’i imponuar Perëndimit projektin e shtetformimit. 28 Nëntori 1912 nuk është thjesht një datë festive. Ai është triumfi i realizmit politik mbi terrorin juridik të despotizmit.

​DOKUMENTI I ARKIVIT OSMAN

PËRMBLEDHJE: Lidhur me vendimin për ekzekutimin dhe konfiskimin e pronës së Ismail Kemalit të Vlorës, një nxitës shqiptar i cili iku në Athinë.

Kodi Arkivor: BOA. Y.PRK.AZN. D:22 G:3 (28.M.1319 / 5 Maj 1317 / 18 Maj 1901)

Burimi: Ministria e Drejtësisë dhe Çështjeve Fetare (Nr. 170)

​”Pretendohet se i arratisuri Ismail Kemal nga Vlora, i cili u akuzua për krimin e arratisjes në Athinë dhe përpjekje për të nxitur trazira dhe kryengritje në Shqipëri, për të krijuar një principatë atje, për të ftuar shqiptarët në një aleancë me grekët, për të përgatitur dhe dërguar në Shqipëri dokumente që përmbanin artikuj shpifës dhe tradhtarë kundër Qeverisë së Lartë, për të botuar materiale subversive në Evropë dhe së fundmi për të shkuar në Egjipt dhe për të tentuar të promovonte qëllimet e tij tradhtare edhe atje, u gjykua sot në mungesë në Gjykatën Penale.

​Si rezultat i gjyqit, u përcaktua se personi i lartpërmendur guxoi të kryente aktet e lartpërmendura dhe, si pasojë, të krijonte një principatë në një pjesë të vendit. Është vendosur unanimisht, siç u tha nga Zyra e Prokurorit Publik të Gjykatës së Apelit, se i pandehuri u përpoq të largonte kontingjentin shqiptar nga administrata e Portës së Lartë, bazuar në raporte nga figura dhe personalitete të shquara shqiptare, si dhe dokumente me shkrim nga Komisioneri i Jashtëzakonshëm i Egjiptit dhe Ambasada Perandorake në Berlin; ai të shpallet fajtor për këtë krim dhe të dënohet me vdekje në përputhje me paragrafin e parë të nenit plotësues 54 të Kodit Penal, të përjashtohet nga shërbimi civil në përputhje me nenin 31 të Kodit të Procedurës Civile, dhe pasuritë e tij, të cilat tashmë janë urdhëruar të sekuestrohen, të administrohen në përputhje me dispozitat e nenit 377 të Kodit të Procedurës Penale. […]

​Më 28 të Muharremit 1319 / 5 të Majit 1317 (18 Maj 1901)

Ministri i Drejtësisë, Abdurrahman /GDielli

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Beteja e Lumës” – Nëntor 1912

0
Nga Ambasador Flamur Gashi 114 vjet nga një fitore e madhe shqiptare, që historia nuk e nderoi sa duhej! Në historinë e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve...