ZAGREB, KROACI – Në selinë e Unionit Shqiptar në Zagreb u zhvillua promovimi i librit “Nënë Tereza dhe populli shqiptar”, me autorë don Ndue Ballabani dhe Dr. Tonin Çobani. Ky aktivitet kulturor dhe përkujtimor mblodhi personalitete të jetës fetare, diplomatike dhe komunitare, të cilët vlerësuan rëndësinë e veprës dhe mesazhin që ajo përcjell për figurën e Nënë Terezës dhe lidhjen e saj të pandashme me popullin shqiptar. Libri trajton dimensionin shpirtëror, njerëzor dhe kombëtar të Nënë Terezës, duke rikthyer në vëmendje rolin e saj si një prej figurave më të njohura shqiptare në historinë botërore. Përmes kësaj vepre, autorët synojnë të sjellin më afër lexuesit vlerat, besimin, përkushtimin dhe trashëgiminë e saj, të cilat vazhdojnë të mbeten frymëzim për brezat. Për librin foli ambasadori i Kosovës, Prof. Dr. Martin Berishaj, i cili u ndal te dimensioni kombëtar dhe hyjnor i Nënë Terezës, si dhe te sfidat me të cilat përballen shqiptarët sot. Në fjalën e tij, ai rikujtoi se, në kohën kur Shqipëria heshtte, Nënë Tereza nuk heshtte, por u rikujtonte shqiptarëve rëndësinë e kthimit te besimi. Ky mesazh u vlerësua si një thirrje për reflektim mbi identitetin, ndërgjegjen dhe vlerat shpirtërore të kombit.
Një këndvështrim personal dhe emocional solli don Rikard Lekaj, i cili foli për lidhjen e tij me Nënë Terezën, që nga hapat e parë të njohjes së saj përmes librit, e deri te përcjellja me empati e jetës dhe e frymës së saj. Ai vuri në pah ndikimin që figura e saj ka pasur në rrugëtimin e tij shpirtëror dhe në mënyrën se si e ka kuptuar përkushtimin ndaj njeriut dhe dashurinë për të tjerët.
Ndërkaq, don Marjan Lorenci u ndal te vlerat fetare të Nënë Terezës dhe te fryma e vazhdimësisë etnike që ajo përfaqësoi në kohët më të vështira për kombin shqiptar. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së saj fetare, kulturore dhe kombëtare, duke e parë Nënë Terezën si një figurë që bashkon besimin, humanizmin dhe përkatësinë shqiptare.
Autori i librit, don Ndue Ballabani, foli për idenë që e nxiti të shkruante këtë vepër, duke theksuar se lidhja me Nënë Terezën shërbeu si udhërrëfyes në këtë rrugëtim. Ai bëri të ditur se synimi i veprës ishte të kontribuonte në orientimin e shqiptarëve drejt vlerave perëndimore, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e besimit, të kulturës dhe të traditës si pjesë të identitetit të tyre.
Promovimin e përshëndetën edhe Esad Çollaku dhe diplomati i Ambasadës së Shqipërisë, Shkëlzen Logu, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti dhe kontributin e autorëve në pasurimin e mendimit kulturor e kombëtar shqiptar.
Promovimi i librit “Nënë Tereza dhe populli shqiptar” në Zagreb dëshmon se figura e kësaj personaliteti të madh vazhdon të jetë e pranishme në jetën kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Përtej përmasave fetare dhe humanitare, Nënë Tereza mbetet një simbol i identitetit, i dashurisë për njeriun, i përkushtimit dhe i lidhjes me rrënjët shqiptare. Kjo vepër vjen si një kontribut i rëndësishëm për njohjen dhe përcjelljen e trashëgimisë së saj te brezat e rinj, duke dëshmuar se vlerat që ajo përfaqësoi nuk njohin kufij dhe mbeten aktuale në çdo kohë dhe në çdo shoqëri, njofton Ambasada e Kosovës në Kroaci, përcjell helveticALforum.ch










