PRISHTINË – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zhvillon sot një përballje të rëndësishme ndaj Izraelit, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve. Dardanët synojnë të shfrytëzojnë përparësinë e fushës vendase dhe mbështetjen e tifozëve për të siguruar tri pikë me rëndësi në garën për objektivat e tyre. Skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda renditet në vendin e dytë në Grupin B3, me pesë pikë të grumbulluara pas katër ndeshjeve, ku ka regjistruar një fitore, dy barazime dhe një humbje. Kosova ndodhet tri pikë prapa Austrisë dhe kërkon rezultat pozitiv për të ruajtur pozitën e saj në grup. Në anën tjetër, Izraeli gjendet në fund të tabelës me vetëm dy pikë dhe do të synojë të marrë rezultat pozitiv për të mbajtur gjallë shpresat në këtë edicion të garës.
Përballja e parë ndërmjet dy përfaqësueseve, e zhvilluar në Debrecen të Hungarisë, kishte përfunduar me rezultat të barabartë 0:0. Kësaj radhe, Kosova synon një rezultat tjetër, duke kërkuar fitoren para publikut të saj.
Në prag të kësaj sfide, përzgjedhësi Franco Foda ka konfirmuar se skuadra ka disa mungesa, por është shprehur i besueshëm te futbollistët që ka në dispozicion. Përfaqësuesja kosovare pritet të hyjë në fushë me synimin për të dominuar lojën dhe për të shfrytëzuar rastet para portës kundërshtare.
Ndeshja Kosovë – Izrael zhvillohet sot, nga ora 15:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pas kësaj përballjeje, më 17 nëntor, Dardanët do të udhëtojnë drejt Irlandës, ku do të zhvillojnë ndeshjen e radhës. Me garën që po hyn në fazën vendimtare, çdo pikë merr rëndësi të veçantë. Kosova kërkon një paraqitje bindëse dhe fitoren që do ta mbante në garë për objektivat e saj në Ligën e Kombeve. /BS










