BERNË – Federata e Sindikatave të Zvicrës (SGB) po përgatitet të ndërmarrë një nismë popullore për vendosjen e një page minimale prej 5000 frangash në muaj për të gjithë punëtorët që kanë përfunduar shkollimin profesional, të njohur në Zvicër si “Lehre”. Nisma synon të rrisë vlerësimin financiar për profesionet e fituara përmes arsimit profesional dhe të përmirësojë pozitën e punëtorëve të kualifikuar në tregun zviceran të punës. Ideja është prezantuar nga kryetari i SGB-së, Pierre-Yves Maillard, njëkohësisht deputet socialist nga kantoni i Vaudit, në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”. Sipas tij, shkollimi profesional dhe puna e kualifikuar duhet të shpërblehen në mënyrë më të drejtë. Të dhënat e një analize të realizuar nga SGB-ja tregojnë se 28 për qind e punëtorëve që kanë përfunduar shkollimin profesional fitojnë më pak se 5000 franga në muaj. Rreth 15 për qind e tyre paguhen me më pak se 4500 franga, ndërsa situata është edhe më e pafavorshme për gratë, pasi një në tri prej tyre fiton nën pragun e propozuar.
Llogaritjet janë bërë mbi bazën e një orari të plotë prej 40 orësh në javë dhe 13 pagave vjetore.
Dallimi në të ardhura mes punëtorëve me shkollim profesional dhe të diplomuarve universitarë mbetet i konsiderueshëm. Në fillim të karrierës, punëtorët me zanat fitojnë mesatarisht 4571 franga bruto, ndërsa personat me diplomë universitare rreth 6189 franga. Në fund të karrierës, këto të ardhura arrijnë përkatësisht në 6289 dhe 10 438 franga.
Punëdhënësit kundërshtojnë propozimin
Shoqata e Punëdhënësve të Zvicrës (SAV) ka shprehur kundërshtimin ndaj kësaj ideje. Sipas saj, vlera e arsimit profesional nuk duhet të matet përmes një page fillestare të garantuar nga shteti, por përmes mundësive që ai ofron për punësim dhe zhvillim profesional. Punëdhënësit argumentojnë gjithashtu se pagat ndryshojnë ndjeshëm nga një sektor ekonomik në tjetrin dhe nga një rajon në tjetrin, prandaj kundërshtojnë vendosjen e një pragu të përgjithshëm.
Nisma pritet të marrë formë gjatë vitit të ardhshëm
Propozimi ende nuk është zyrtarizuar. Fillimisht duhet të marrë miratimin e kongresit të SGB-së, i cili pritet të mblidhet në fund të kësaj jave. Nëse miratohet, sindikatat do të përgatisin tekstin përfundimtar dhe do të nisin mbledhjen e nënshkrimeve gjatë vitit të ardhshëm. Zvicra aktualisht nuk ka një pagë minimale në nivel federal. Në vitin 2014, qytetarët zviceranë refuzuan me rreth tri të katërtat e votave një nismë që parashihte pagën minimale prej 4000 frangash në muaj. Ndërkohë, disa kantone kanë vendosur rregullat e tyre për pagën minimale. Debati ka rëndësi të veçantë edhe për mërgatën shqiptare në Zvicër, pasi një pjesë e konsiderueshme e bashkatdhetarëve janë të angazhuar në sektorë ku shkollimi profesional dhe kualifikimet përmes sistemit zviceran “Lehre” luajnë rol të rëndësishëm. Nëse kjo nismë merr mbështetjen e nevojshme, ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat dhe kushtet e punës për mijëra punëtorë./BS










