BallinaDiasporaDASHNIM HEBIBI – NJË PENË NË SHËRBIM TË MËRGATËS DHE KUJTESËS SHQIPTARE

DASHNIM HEBIBI – NJË PENË NË SHËRBIM TË MËRGATËS DHE KUJTESËS SHQIPTARE

-

Shkruan: Shefqet Cakolli, Kryetar i SH.K.A. “Dardania” – Winterthur

Portret i gazetarit, publicistit, shkrimtarit, moderatorit dhe studiuesit shqiptar me veprimtari në Zvicër

Winterthur, 14 nëntor 2026- Të shkruash për një njeri që prej vitesh shkruan për të tjerët është një përgjegjësi dhe një shprehje mirënjohjeje. Përmes punës së tij bëhen të njohura përpjekjet, ruhen dëshmit dhe marrin vend në kujtesën publike njerëzore te shumë veprimtari që, pa këtë vëmendje, mund të mbeteshin brenda një rrethi të ngushtë. Në këtë këndvështrim e shohim veprimtarinë e Dr. Dashnim Hebibit si një histori në vete. Gazetaria, publicistika, krijimtaria letrare, monografitë, moderimi dhe studimi i diasporës përbëjnë drejtime të një pune të vazhdueshme, të lidhur me jetën shqiptare në mërgim dhe me zhvillimet në vendlindjet tona. Rasti për këtë portret është përfshirja e emrit të tij ndër të nderuarit e paralajmëruar të çmimit ndërkombëtar “Oscar Wilde” 2026, ceremonia e të cilit është caktuar për sot më 14 nëntor në Castiglion Fiorentino të Italisë. Ky nderim na jep një arsye më shumë për t’u ndalur te puna e tij, për ta njohur më mirë dhe për ta vlerësuar gjatë kohës që ajo vazhdon si ngjarje e sotme.

Mërgata si hapësirë pune dhe përgjegjësie!

Me prejardhje nga Presheva, i shkolluar në vendlindje e Tiranë të Shqipërisë në gazetari dhe i vendosur në Zvicër që nga viti 2000, Dashnim Hebibi ka zhvilluar një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij mes bashkatdhetarëve. Puna shumëvjeçare si gazetar dhe redaktor në “Bota Sot” e ka lidhur me jetën shoqërore, kulturore dhe politike të diasporës. Mërgata përmbledh shumë përvoja: punën për të ndërtuar jetën në një vend tjetër, përgjegjësinë ndaj familjes, lidhjen me vendlindjen dhe përpjekjen për t’ua përcjellë gjuhën e kulturën fëmijëve. Brenda saj ka arritje, por edhe vështirësi që kërkojnë të dëgjohen dhe të kuptohen. Gazetari që e ndjek këtë jetë, bëhet dëshmitar i një procesi të gjatë. Ai takon njerëz, përcjell organizime dhe ruan kujtime përmes shkrimimeve si pjesë të përvojës së përbashkët. Në këtë drejtim merr kuptim edhe puna e Hebibit: vëmendja ndaj bashkatdhetarëve dhe përpjekja për t’i sjellë veprimtaritë e tyre para lexuesit.

Nga shtypi te drejtimi i mediave!

Përvoja profesionale e Hebibit shtrihet në disa media. Në rrugëtimin e tij përmenden gazetat “AMC Press” dhe “Kosova e re”, bashkëpunimi me “TV Diaspora” të RTK-së, përmes producentit Esat Husaj me seli në Berlin, raportimi për redaksinë shqipe të TVM-së dhe angazhimi në projektin “Dialog Plus” gjatë viteve 2013–2015.

Këtij profili i shtohet edhe roli si kryeredaktor i SAM24.info, Qendra Mediale Shqiptare në Zvicër. Këtë angazhim e dokumentojnë botime të vetë portalit dhe njoftime të LAPSH-it në Cyrih. Në SAM24.info gjenden shkrime të tij për organizimet kulturore dhe jetën e bashkatdhetarëve, ndërsa burimet për veprimtaritë e LAPSH-it e identifikojnë shprehimisht si kryeredaktor, pavarësisht se pa dashjen e tija ajo mbyllet befasisht nga editori i saj.

Përgjegjësia redaksionale e zgjeron rolin e gazetarit. Ajo lidhet me përzgjedhjen e temave, me hapësirën që u jepet zërave të ndryshëm dhe me mënyrën si paraqitet jeta e bashkësisë. Për një mërgatë të shpërndarë, media në gjuhën shqipe krijon mundësi njohjeje, komunikimi dhe shkëmbimipërvojash.

Libri si vend i ruajtjes së përvojës!

Një pjesë e rëndësishme e punës së Dashnim Hebibit zhvillohet përmes librit, që deri më tani botoj mbi 35 të tilla. Në bibliografinë e tij përmenden vëllimet I–IV të “Intervista në tranzicion”, si dhe botime publicistike e letrare që trajtojnë vendlindjen, mërgimin dhe jetën shqiptare.

Intervista e botuar në libër i jep jetëgjatësi një bashkëbisedimi. Lexuesi mund t’i rikthehet një qëndrimi, një kujtimi apo një përvoje dhe ta shohë atë në rrethanat e kohës kur është shprehur. Në këtë mënyrë, puna gazetareske krijon edhe material dokumentues për të ardhmen.

Botimet “Diaspora shqiptare në udhëkryq” dhe “Atdheu portativ”, të renditura në bibliografinë e tij, tregojnë vazhdimësinë e interesimit për përvojën e mërgatës. Krahas publicistikës, krijimtaria poetike e zgjeron marrëdhënien e autorit me gjuhën dhe përjetimin individual.

Një lexim kritik i secilës vepër do të kërkonte trajtim më vete. Në këtë portret, rëndësi ka të vërehet gjerësia e angazhimit dhe përpjekja për ta shprehur përvojën shqiptare në forma të ndryshme të shkrimit.

Monografitë dhe kujtesa e organizimit shqiptar!

Monografitë janë ndër kontributet që meritojnë vëmendje të posaçme. Në materialin biografik të përgatitur edhe nga Angela Kosta renditen “30 vjet në shërbim të kombit”, për Shoqatën Humanitare “Medvegja”; “10 vjet për kombin”, për Shoqatën Humanitare “Lugina e Preshevës”; dhe “Rijeka, fole feniksësh”, për bashkësinë shqiptare në Rijekë.

Këto punë lidhen me një nevojë të rëndësishme të mërgatës: ruajtjen e historisë së organizimit të saj. Pas çdo shoqate qëndrojnë njerëz që kanë mbledhur ndihma, kanë organizuar veprimtari, kanë hapur dyer dhe kanë mbajtur lidhje mes bashkatdhetarëve.

Me kalimin e kohës, dokumentet shpërndahen dhe kujtimet zbehen, kurse fotografitë mbeten në arkiva familjare, programet humbin kujtesen, ndërsa emrat e kontribuuesve mund të mos shënohen askund. Përgatitja e një monografie kërkon mbledhjen dhe sistemimin e këtij materiali, me përgjegjësi ndaj njerëzve dhe historisë së tyre.

Për ne që punojmë në shoqëritë kulturore, kjo ka domethënie të drejtpërdrejtë. Ruajtja e historisë së shoqatës është respekt ndaj punës së shumë brezave. Për këtë arsye, monografitë duhet të zënë vend të dukshëm në vlerësimin e veprimtarisë së Dr. Dashnim Hebibit.

Politika, kultura dhe diplomacia në bashkëbisedimet e tij!

Horizonti i punës së tij përfshin edhe personalitete të jetës shtetërore, kulturore, sportive dhe diplomatike.

“Vështrim presidencial mbi diasporën shqiptare” figuron në bibliografinë kombëtare të Kroacisë si botim i vitit 2021 në Rijekë. Sipas recensionit të publikuar, libri ndërtohet kryesisht me intervista me presidentë, ish-presidentë dhe ushtrues të detyrës së presidentit të Shqipërisë e Kosovës.

Kjo qasje e vendos diasporën përballë këndvështrimit institucional. Ajo krijon mundësi për të shqyrtuar si është kuptuar roli i mërgatës dhe çfarë marrëdhënje është menduar mes saj dhe shteteve shqiptare.

Librat e botuara me këto intervista i vërejm gjithashtu edhe intervistat me figura të politikës dhe kulturës shqiptare, ndër to Ibrahim Rugova, Sali Berisha, Bujar Nishani, Atifete Jahjaga, Ismail Kadare dhe Zef Mirdita. Këto bashkëbisedime e plotësojnë përvojën e tij si intervistues, pa qenë e nevojshme që në këtë shkrim t’ia atribuojmë secilën intervistë një vëllimi të caktuar.

Në botimet e tij përfshihet edhe “Lugina e Preshevës, pjesë e unit kombëtar”, e lidhur me vizitën e Bujar Nishanit në atë trevë më 7 mars 2017. Ndërsa “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, me bashkautor Florim Useinin, trajton përvojën e diplomatit Rexhep Demiri. Promovimi i kësaj vepre është dokumentuar edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Zvicër, dhe mediat tjera të shkruara në mërgatë e gjetiu.

Gratë shqiptare si protagoniste të diasporës!

Dy vëllimet “Gratë frymëzuese të Diasporës Shqiptare” tani më në duart e lexuesëve dhe vëllimet tjera që po presim mbështetje financiare për shtypje, e përbëjnë një tjetër drejtim me rëndësi në punën e Hebibit. Të botuara më 2024 nga shtëpia botuese “Libri Im” në Pejë, me redaktor dhe recensent Jeton Arifin, ato u promovuan në Zagreb më 21 shkurt 2025 dhe në Winterthur më 25 maj të po atij viti.

Historia e mërgatës bëhet më e plotë kur gratë kanë vendin e tyre si protagoniste: në profesion, arsim, krijimtari, organizim shoqëror dhe familje. Përvojat e tyre meritojnë të dëgjohen në të gjithë larminë që kanë.

Zgjedhja për t’u kushtuar dy vëllime është një përpjekje për t’i ruajtur këto zëra dhe për t’i sjellë para një publiku më të gjerë, me synimin e vazhdimit të vëllimeve tjera të gatëshme si dy të parat. Për brezat e rinj, njohja me rrugëtimet e grave shqiptare mund të krijojë pikëreferime dhe mundësi reflektimi për jetën në diasporë.

Kontributi që e njohim përmes SH.K.A “Dardania”!

Vëmendjen e Dr. Dashnim Hebibit ndaj jetës kulturore e njohim edhe përmes shkrimeve të tij për SH.K.A. “Dardania” në Winterthur.

Ai ka përcjellë përvjetorët e shoqërisë, angazhimin e anëtarëve dhe paraqitjet e fëmijëve. Më 2023 shkroi për festën e 28 Nëntorit dhe 29-vjetorin e “Dardanisë”. Më 2024 realizoi me mua intervistën “30 vjet punë artistike, 112 vjet shtet Shqipëria”. Më 2025 publikoi shkrime për fëmijët dhe për ruajtjen e traditës ndër brezat e rinj. Ai tani vijon të publikoj shkrimet tona në portalin Helveticalforum, thuaja se çdo aktivitet që zhvillohet rrethë nesh dhe për ne.

Për ne dhe për mua personalisht, këto botime janë dëshmi të një pune të përbashkët. Në jetën e Shoqërisë Kulturore – Artistike “Dardanisë” janë përfshirë shumë anëtarë, udhëheqës artistikë, prindër, familje dhe miq. Çdo paraqitje përmbledh prova, përgatitje dhe kohë të dhënë vullnetarisht.

Kur kjo punë pasqyrohet në media, ajo arrin përtej sallës. Njerëzit njihen me përpjekjen dhe mbetet një gjurmë që mund t’i shërbejë edhe historisë së shoqërisë.

Këtë ndihmesë të Hebibit e vlerësojm me mirënjohje. Përvoja jonë me “Dardaninë” na ndihmon ta kuptojm edhe rëndësinë e shkrimeve të tij për organizime dhe veprimtari të tjera, që e lidhin “Dardaninë” dhe shoqatat tjera në mërgatë e gjetiu.

Moderimi, arsimi dhe përgjegjësia ndaj gjuhës!

Veprimtaria e Hebibit përfshin edhe drejtimin e programeve publike. Dokumentohen moderime akademish përkujtimore dhe promovimesh letrare, ndër to një mori akademish për dëshmorët e UÇPMB-së, të pasqyruara në shtyp edhe më 2010, dhe veprimtaria kushtuar grave shqiptare në Winterthur më 2025.

Moderimi kërkon përgatitje dhe kujdes ndaj përmbajtjes, pjesëmarrësve dhe publikut. Në këtë rol, ai ka qenë pjesë e realizimit të ngjarjeve, krahas punës për pasqyrimin e tyre.

Angazhimi i tij shtrihet edhe te mësimi plotësues shqip në Aargau. Shoqatat “Lugina e Preshevës” dhe “Medvegja” kanë evidentuar për punën e tij vullnetare si mësues dhe ndihmesën në hapjen e tri paraleleve në gjuhën shqipe.

Kjo punë lidhet me një përgjegjësi të përbashkët të mërgatës. Gjuha ruhet përmes përdorimit të përditshëm, mësimit, leximit dhe krijimit. Përfshirja në shkollimin shqip e lidh veprimtarinë publike me nevojat konkrete të fëmijëve që rriten në një mjedis shumëgjuhësh.

Diaspora edhe si objekt studimi!

Interesimi i Dr. Dashnim Hebibit për diasporën ka marrë trajtë akademike. Katalogu i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë regjistron doktoraturën e tij të vitit 2023 me temën “Diaspora shqiptare dhe roli i saj në shtetformimin e Kosovës nga viti 1998–2008”.

Zgjedhja e kësaj teme e vendos rolin e mërgatës në kuadrin e kërkimit shkencor. Është një çështje me rëndësi për historinë tonë bashkëkohore, e cila kërkon burime, argumentim dhe shqyrtim të kujdesshëm.

Këtu takohen dy drejtime të përvojës së tij: gazetari që përcjell jetën e bashkatdhetarëve dhe studiuesi që kërkon ta kuptojë rolin e tyre në procese më të gjera.

Nga titulli për paqen te vlerësimet në Itali!

Ndër nderimet e D.Hebibit figuron titulli “Ambasador për Paqen”, i dhënë nga Federata e Paqes Universale, UPF, më 2011. Ky është një titull nderi i organizatës, i evidentuar edhe në përgëzimet e shoqatave shqiptare për të.

Gjatë vitit 2026, ai ka marrë vlerësime edhe në Itali. Më 5 shkurt, në Romë, u nderua me çmimin ndërkombëtar “Comunicare l’Europa 2026”, me vlerësimin “Ambasador i Lirisë së Fjalës, Kulturës dhe Patriotizmit”. Në maj, emri i tij u përfshi ndër të nderuarit për kulturën dhe letërsinë në Venecia, në kuadër të Menotti Art Festival.

Këtyre u shtohet përfshirja ndër të nderuarit e paralajmëruar të çmimit ndërkombëtar “Oscar Wilde” 2026. Pa i paraprirë ceremonisë dhe arsyetimit përkatës, ky është një tjetër rast njohjeje publike i veprimtarisë së tij.

Këto vlerësime duhen parë pranë punës që i ka paraprirë: shkrimeve, botimeve, monografive dhe angazhimit shumëvjeçar. Ato krijojnë raste njohjeje jashtë bashkësisë shqiptare dhe mundësi të reja komunikimi kulturor.

Mirënjohje për punën që mbetet!

Ky portret synon të vlerësojë gjerësinë e një veprimtarie të dokumentuar. Për një shqyrtim kritik të plotë të krijimtarisë së Hebibit, secila vepër do të kërkonte lexim dhe analizë më vete.

Nga puna e njohur dhe nga përvoja ime në jetën kulturore të mërgatës, e shoh kontributin e tij te përpjekja për të ruajtur përvoja dhe për t’u dhënë hapësirë njerëzve. Ai ka shkruar për bashkatdhetarë, shoqata, gra të suksesshme, krijues dhe personalitete publike, duke lënë material të cilit lexuesit mund t’i rikthehen.

Një bashkësi ka nevojë për këtë kujtesë. Brezat që vijnë duhet të kenë mundësi të mësojnë kush veproi, si u organizuan njerëzit dhe çfarë përpjekjesh u bënë për gjuhën, kulturën dhe lidhjen me vendlindjen.

Prandaj e çmojm punën e Dr. Dashnim Hebibit dhe mendoj se ajo meriton të njihet gjatë kohës që vazhdon. Mirënjohja e argumentuar i jep vend kontributit dhe e nxit vazhdimësinë e tij.

Me rastin e nderimit të tij në Itali, i shprehim respektin tonë dhe i urojm shëndet, krijimtari e suksese të mëtejshme. Uroj që të vazhdojë të dëgjojë, të hulumtojë dhe të shkruajë për njerëzit e përvojat që meritojnë të ruhen në kujtesën tonë të përbashkët.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

ARDIAN KRASNIQI SHKËLQEN NË STUTTGART, 14 FITORE NË 14 MEÇE –...

0
Boksieri shqiptar vazhdon rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në boksin profesionist, duke konfirmuar ambicien për të luftuar për titullin e kampionit të botës. STUTTGART –...