
Përgatiti: Dashnim HEBIBI
Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, krahas takimeve të shumta me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të mërgatës, po i kushton vëmendje edhe brezit të ri, veçanërisht studentëve shqiptarë që po ndjekin studimet në Zvicër.
Cyrih, 12 nëntor 2026 – Studentët shqiptarë që studiojnë në Zvicër përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm intelektual dhe profesional për të ardhmen e komunitetit shqiptar. Pikërisht këtë kategori nuk e ka lënë jashtë vëmendjes shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, i cili sot ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Cyrih. Takimi u mbajt në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, ku në fokus ishte veprimtaria e shoqatës, angazhimi i studentëve shqiptarë në jetën akademike, shkencore dhe kulturore, si dhe kontributi i tyre në përfaqësimin dhe promovimin e vlerave shqiptare në Zvicër. Përmes këtij takimi u diskutuan edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Konsullatës dhe shoqatës studentore, organizimi i aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe krijimi i mundësive të reja për përfshirjen e të rinjve në iniciativa arsimore, kulturore dhe profesionale. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe ndërlidhjes së studentëve dhe profesionistëve të rinj shqiptarë në Zvicër me institucionet dhe zhvillimet në vendln e të parëve, me qëllim që njohuritë dhe përvojat e fituara jashtë vendit të shndërrohen në ura bashkëpunimi dhe zhvillimi. Vetë Vigan Berisha, duke përshkruar takimin, theksoi rëndësinë e veprimtarisë së studentëve dhe mundësitë për bashkëpunim më të madh me institucionet konsullore.
Studentët meritojnë më shumë vëmendje, nderim dhe respekt!
Në fakt, vëmendja dhe respekti ndaj studentëve shqiptarë duhet të jenë edhe më të mëdha. Ata nuk janë vetëm të rinj që ndjekin studimet në universitetet zvicerane, por janë një investim i çmuar për të ardhmen tonë. Në auditorët universitarë, në laboratorët shkencorë dhe në institucionet profesionale po formohet një brez që nesër do të marrë përgjegjësi të rëndësishme në shoqëri. Ata janë e ardhmja jonë, krenaria e familjeve të tyre dhe një pasuri intelektuale për mërgatën shqiptare dhe vendlindjen. Prandaj, nuk mjafton vetëm t’i përmendim në fjalime apo t’i kujtojmë në raste ceremoniale. Duhet t’u hapim dyert, t’i dëgjojmë, t’i mbështesim dhe t’u krijojmë hapësira konkrete për të dëshmuar aftësitë e tyre. Takime të tilla janë të rëndësishme pikërisht sepse krijojnë ura komunikimi ndërmjet institucioneve dhe brezit të ri. Mërgata shqiptare nuk mund ta ndërtojë të ardhmen pa studentët dhe profesionistët e saj të rinj. Sepse një komb që i nderon studentët e tij, nderon dijen; një komb që investon te rinia, investon te e ardhmja e vet. Studentët tanë nuk janë vetëm e nesërmja, ata janë edhe shpresa dhe forca e së ardhmes shqiptare. / HelveticALforum.ch










