Mbi 90% e punimeve për shinat kanë përfunduar, ndërsa stacionet janë realizuar në masën 75%. Ministri Enea Karakaçi bën të ditur se pas lidhjes së kontratës për elektrifikimin do të nevojiten edhe 12 muaj për përfundimin e këtij procesi.
Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas po i afrohet fazës përfundimtare të ndërtimit, ndërsa qytetarët shqiptarë presin që të përdorin trenin për të udhëtuar drejt Durrësit dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i ftuar në emisionin “Tonight” me Mirela Milorin, ka dhënë detaje mbi ecurinë e projektit dhe punimet që kanë mbetur për përfundimin e tij. Sipas ministrit, punimet për vendosjen e shinave kanë kaluar mbi 90% të realizimit, ndërsa ndërtimi i tetë stacioneve përgjatë linjës Tiranë-Durrës ka arritur në rreth 75%. Një nga fazat e fundit dhe më të rëndësishme të projektit është elektrifikimi i linjës, pasi trenat që do të qarkullojnë në këtë itinerar do të jenë elektrikë. Karakaçi bëri të ditur se Hekurudha Shqiptare ka përzgjedhur operatorin që do të realizojë këtë proces, ndërsa kontrata ndodhet në shqyrtimin përfundimtar të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila financon projektin. Ministri sqaroi se, pas lidhjes së kontratës për elektrifikimin, do të nevojiten rreth 12 muaj për realizimin e punimeve.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve për kohëzgjatjen e projektit, Karakaçi shpjegoi se vonesat lidhen edhe me faktin se infrastruktura hekurudhore është zhvilluar në disa faza të veçanta financimi dhe zbatimi. Fillimisht, në vitin 2016, ishte miratuar financimi për segmentin Tiranë-Durrës, me ndalesë në aeroport. Më pas, projektit iu shtuan stacionet, ndërsa elektrifikimi u miratua si fazë tjetër e domosdoshme për funksionimin e plotë të linjës. Sipas ministrit, bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm infrastrukturor, i mundësuar edhe përmes granteve të Bashkimit Evropian dhe financimit ndërkombëtar. Përfundimi i kësaj linje pritet të përmirësojë ndjeshëm lidhjen e kryeqytetit me Durrësin dhe aeroportin, duke krijuar një alternativë më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të transportit publik, si dhe duke ulur varësinë nga transporti rrugor. Megjithatë, qytetarët do të duhet të presin përfundimin e elektrifikimit dhe të të gjitha punimeve të tjera përpara se linja të vihet në shërbim. Tashmë sfida kryesore mbetet përmbyllja e fazës së fundit, që një projekt i shumëpritur të kthehet nga një kantier ndërtimi në një shërbim real për qytetarët, transmeton euronewsal.










