Përgatiti Dashnim HEBIBI
Heset Ahmeti, një personalitet i njohur i komunitetit shqiptar në Slloveni dhe më gjerë në mërgatën shqiptare, u është drejtuar bashkatdhetarëve me një apel për pjesëmarrje dhe mbështetje të kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet për asambletë komunale, që do të mbahen më 15 nëntor 2026.
Heset Ahmeti, i cili jeton dhe vepron në Slloveni, është një emër i njohur për veprimtarinë atdhetare, humanitare dhe kulturore. Ai vlerësohet për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, për njohjen e lashtësisë sonë historike dhe për angazhimin në promovimin e historisë shqiptare edhe në mesin e miqve sllovenë, të cilët i ka afruar me interesimin dhe studimin e historisë sonë kombëtare. Si drejtues i Shoqatës Kulturore „Iliria“ në Slloveni, Ahmeti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar. Në Koper ka pritur dhjetëra personalitete shqiptare, duke dëshmuar vazhdimisht mikpritjen, fjalën e dhënë dhe përkushtimin ndaj bashkëkombësve.

Ai njihet si një njeri që nuk mjaftohet vetëm me premtime, por përpiqet që fjalën e dhënë ta kthejë në vepër. Pikërisht kjo e ka bërë një figurë të respektuar në mesin e bashkatdhetarëve. Në këtë frymë angazhimi, përmes rrjeteve sociale, Heset Ahmeti u është drejtuar shqiptarëve në Slloveni me një mesazh të qartë, duke kërkuar që ata të jenë të zëshëm, të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të mbështesin përfaqësuesit e komunitetit të tyre.

Në mesazhin e tij, z. Ahmeti shkruan:
„Të dashur miq, me shpresë që do të mbështetni dhe ua jepni votën kandidatëve të komunitetit tonë, që garojnë për asambletë komunale me 15.11.2026. Po ofroj këta kandidat që kam arrit të i siguroj informacionet.

- Hazbi Rexhepi – Izola
- Ganimet Shala – Ljubljana
- Flurina Ametaj – Celje
- Vera Xhafa Haliti – Celje
- Saranda Kukaj Qoti – Sežana
- Neđat Šalja – Nova Gorica“

Apeli i Heset Ahmetit vjen si një thirrje për vetëdije qytetare dhe përfaqësim më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet lokale të Sllovenisë.

Përfaqësimi në asambletë komunale është një mundësi që zëri i komunitetit shqiptar të dëgjohet më shumë, që interesat e tij të përfaqësohen dhe që brezat e rinj të kenë hapësirën e merituar në jetën publike dhe institucionale të vendit ku jetojnë.

Angazhimi i njerëzve si Heset Ahmeti dëshmon se atdhetaria nuk matet vetëm me fjalë, por edhe me punën e përditshme, me bashkimin e njerëzve dhe me përpjekjen për t’i dhënë komunitetit një zë më të fuqishëm.

/ helveticALforum.ch










