Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga udhëheqja e Serbisë njohjen e pavarësisë së Kosovës, dorëzimin e Milan Radoiçiqit para drejtësisë dhe ndërprerjen e fushatës kundër njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Në një ligjëratë para studentëve të Paris School of International Affairs (PSIA), Kurti ka ngritur gjithashtu shqetësimet për bashkëpunimin e ngushtë ushtarak dhe politik ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, duke e cilësuar atë si faktor rreziku për sigurinë e Kosovës. Duke folur në Paris, kryeministri Kurti theksoi se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë një proces formal, por duhet të përfshijë përgjegjësi konkrete për sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023. Ai kërkoi që Milan Radoiçiq, të cilin e cilësoi si organizatorin kryesor të sulmit, t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës për t’u përballur me drejtësinë. Sipas Kurtit, ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Serbisë duhet të shoqërohen edhe me një qasje të re ndaj Kosovës, duke pranuar realitetin politik të krijuar në rajon dhe pavarësinë e saj.
“Ky duhet të jetë një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë arrin ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, deklaroi Kurti.
Kryeministri kërkoi gjithashtu që Beogradi të heqë dorë nga përpjekjet për pengimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe nga kundërshtimi i anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
Serbia dhe Rusia, shqetësim për sigurinë e Kosovës
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit në Paris, Kurti ia kushtoi çështjeve të sigurisë, duke përmendur luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe raportet e ngushta ndërmjet Beogradit dhe Moskës si dy faktorë që, sipas tij, ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e Kosovës. Ai përmendi praninë e një qendre të ashtuquajtur humanitare ruse në Nish, rreth 160 kilometra larg Prishtinës, si dhe praninë e 48 bazave ushtarake dhe të xhandarmërisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën. Kurti ngriti shqetësime edhe për bashkëpunimin institucional ndërmjet Serbisë dhe Rusisë, duke përmendur themelimin e një zyre të Kremlinit brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Në këtë kontekst, ai iu referua edhe sulmit në Banjskë, për të cilin tha se kishte si synim aneksimin e veriut të Kosovës sipas modelit të Krimesë. Duke folur për kapacitetet mbrojtëse të vendit, Kurti theksoi se Kosova gjatë katër viteve të fundit ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen, duke tejkaluar vazhdimisht nivelin prej dy për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai shtoi se blerjet ushtarake janë realizuar nga shtetet anëtare të NATO-s.
Integrimi në BE dhe NATO, objektiv strategjik
Në fjalimin e tij, kryeministri trajtoi edhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk sheh alternativë tjetër përveç anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai përmendi tri çështje kryesore që, sipas tij, përcaktojnë rrugën ndërkombëtare të Kosovës: qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe sigurimin e njohjes nga pesë shtetet e BE-së dhe katër shtetet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nuk mund të ketë një Evropë të dorës së dytë. Nuk ka më periferi”, u shpreh Kurti, duke ritheksuar orientimin evropian të vendit.
Kosova, zhvillimi ekonomik dhe roli i mërgatës
Përveç çështjeve politike dhe të sigurisë, Kurti foli edhe për zhvillimet demokratike, ekonomike dhe sociale në Kosovë. Ai iu referua raportit të vitit 2026 të institutit suedez V-Dem, sipas të cilit Kosova renditet në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për treguesit demokratikë. Po ashtu, përmendi rritjen mesatare ekonomike mbi katër për qind gjatë pesë viteve të fundit dhe të dhënat e Gallup-it për perceptimin e sigurisë në vend. Në vëmendje të fjalimit ishin edhe politikat sociale të qeverisë, përfshirë arsimin e lartë falas, mbështetjen financiare për nënat dhe familjet, investimet në shëndetësinë publike dhe subvencionet për bujqësinë. Një vend të veçantë në këtë ligjëratë zuri edhe mërgata shqiptare, të cilën Kurti e cilësoi si një faktor me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai theksoi kontributin e saj përmes investimeve, ndërmarrësisë, punës në distancë dhe bartjes së përvojave e njohurive nga vendet ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Sipas tij, shërbimet e ndërlidhura me teknologjinë përbëjnë rreth gjashtë për qind të ekonomisë së Kosovës, ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s pritet të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e këtij sektori. Në përmbyllje të fjalimit para studentëve në Paris, Kurti u ndal te përgjegjësia politike dhe rëndësia e vlerave demokratike, duke theksuar se vlerat me të cilat një individ hyn në politikë duhet të dëshmohen edhe përmes veprimeve kur merr përgjegjësi për qeverisjen. Ligjërata e tij në Paris e vendosi Kosovën në qendër të diskutimit për sigurinë evropiane, raportet me Serbinë, ndikimin rus në rajon dhe perspektivën e integrimit euroatlantik. Në të njëjtën kohë, Kurti përcolli mesazhin se normalizimi i qëndrueshëm i marrëdhënieve me Serbinë, sipas qëndrimit të Prishtinës, duhet të kalojë përmes njohjes së Kosovës dhe përgjegjësisë për sulmin në Banjskë, transmeton rtk.










