BallinaDiasporaRama në Paris: Shqipëria drejt BE-së, orientimi evropian mbetet i palëkundur

Rama në Paris: Shqipëria drejt BE-së, orientimi evropian mbetet i palëkundur

-

Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar përkushtimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se orientimi evropian i vendit është një zgjedhje historike dhe strategjike, për të cilën ekziston një konsensus i gjerë në shoqërinë shqiptare.

Gjatë pjesëmarrjes në “Forumin e Paqes”, në Musée de l’Homme në Paris, në një bashkëbisedim kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe të ardhmes së brezit të ri, Rama foli për veçantinë historike të Shqipërisë dhe arsyet që, sipas tij, kanë ndikuar në orientimin e fortë proevropian të shqiptarëve. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se historia e Shqipërisë ndryshon nga ajo e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi vendi nuk ishte pjesë e ish-Jugosllavisë dhe as e bllokut lindor në të njëjtën mënyrë si shtetet e tjera të rajonit. Ai rikujtoi periudhën e izolimit të thellë politik dhe marrëdhëniet e veçanta që Shqipëria kishte krijuar me Kinën e Mao Ce Dunit.

Duke iu referuar daljes nga izolimi komunist, Rama përdori një shprehje të fortë për të përshkruar përqafimin e vlerave perëndimore nga shqiptarët, duke i cilësuar ata si “talibanë perëndimorë”, në kuptimin e përkushtimit të jashtëzakonshëm ndaj Perëndimit.

Sipas tij, Shqipëria vazhdon të ketë nivelin më të lartë të eurooptimizmit në Evropë, ndërsa besimi i qytetarëve te projekti evropian mbetet një nga tiparet më të rëndësishme të orientimit të vendit.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm i kryeministrit ishte konceptimi i Bashkimit Evropian jo thjesht si një mundësi për përfitime ekonomike, por mbi të gjitha si një hapësirë e përbashkët lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi.

“Për shqiptarët dhe për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është çka ishte për etërit themelues: jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi”, deklaroi Rama.

Ai nënvizoi gjithashtu se, pavarësisht polarizimit politik, konflikteve të brendshme dhe protestave, integrimi evropian mbetet një objektiv i përbashkët për të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë në Shqipëri.

“Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër e as nuk e kërkojmë një të tillë”, u shpreh kryeministri, duke riafirmuar se vendi nuk ka ndërmend të ndryshojë orientimin e tij gjeopolitik.

Mesazhi i Ramës nga Parisi synon të përcjellë një Shqipëri të vendosur në rrugën evropiane, ku Bashkimi Evropian shihet jo vetëm si destinacion politik, por edhe si projekt i përbashkët vlerash, demokracie dhe të ardhmeje për brezat e rinj, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Heset Ahmeti u bën thirrje shqiptarëve në Slloveni: Më 15 nëntor,...

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Heset Ahmeti, një personalitet i njohur i komunitetit shqiptar në Slloveni dhe më gjerë në mërgatën shqiptare, u është drejtuar bashkatdhetarëve me...