Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka riafirmuar përkushtimin e saj për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Kosovën. Në këtë kuadër, e Ngarkuara me Punë e Ambasadës amerikane, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ku në fokus ishte partneriteti i fortë ndërmjet dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmes një njoftimi publik, Ambasada amerikane ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe mbështetjen amerikane për zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Partneriteti ynë i fortë në fushën e mbrojtjes ishte në qendër të takimit të sotëm mes të Ngarkuarës me Punë, Anu Prattipati, dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci”, thuhet në njoftimin e Ambasadës. Po ashtu, përfaqësuesit amerikanë kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës, duke mbështetur përpjekjet për forcimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.
Mbështetja e Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes konsiderohet një prej shtyllave kryesore të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së./BS










