Politika amerikane ka një tjetër përfaqësues me origjinë shqiptare. Republikani Joe Hoxha, i cili siguroi një mandat në Dhomën e Përfaqësuesve të shtetit Connecticut, ka rrëfyer emocionet e fitores, rrugëtimin e tij drejt politikës dhe mbështetjen që mori nga komuniteti shqiptar.
Në një intervistë për A2 CNN, Hoxha ka ndarë momentet më të veçanta të natës së zgjedhjeve, duke treguar se rruga e tij drejt politikës nisi shumë më herët, fillimisht si pjesë e fushatave elektorale të kandidatëve të tjerë.
Ai pranoi se angazhimi politik ishte diçka që e kishte menduar prej kohësh, por kandidimi për një post publik nuk kishte qenë pjesë e planeve të tij fillestare.
“E dija që një ditë do të angazhohesha në një mënyrë ose në një tjetër. Nuk e dija që do të kandidoja vetë. Për shumë kohë unë kam punuar nëpër fushata për të tjerët dhe nuk ndodh zakonisht që nga punëtor nëpër fushata të kalosh në kandidat vetë. Kur m’u dha rasti, m’u dha dhe, siç thonë, ‘the rest is history’”, u shpreh Hoxha.
Ankthi i natës së zgjedhjeve: Kur e kuptoi se kishte fituar
Pavarësisht pritshmërive pozitive, nata e zgjedhjeve nuk ka qenë pa emocione dhe pasiguri për kandidatin republikan. Hoxha tregoi se kishte qëndruar pranë qendrave të votimit deri në përfundim të procesit, duke ndjekur me vëmendje numërimin e votave.
Ai theksoi se, edhe kur rezultatet duken në favor të një kandidati, pasiguria mbetet deri në momentin kur diferenca bëhet e pakapërcyeshme.
“Vjen me shumë ankth kjo punë. Edhe sikur ta dish me 1 milion për qind që ke fituar, të rri në kokë gjëja më e keqe që mund të ndodhë dhe jo gjëja më e mirë”, tregoi ai.
Momenti i lehtësimit erdhi kur Hoxha kuptoi se votat që ende nuk ishin numëruar, përfshirë ato të dërguara me postë, nuk mund të përmbysnin diferencën me kundërshtarin.
“Kur e pashë që shuma e atyre që akoma duhet të numëroheshin, që ishin çuar me postë, ishin më pak se ndryshimi me kundërshtarin, aty u lirova dhe thashë: Më duket se kam fituar”, rrëfeu ai.
Mbështetja shqiptare, përtej bindjeve politike
Një tjetër aspekt që Hoxha veçoi gjatë intervistës ishte përkrahja e marrë nga bashkatdhetarët që jetojnë në zonën ku ai kandidoi.
Edhe pse komuniteti shqiptar në këtë zonë nuk është shumë i madh, ai tha se mbështetja e tyre ishte e veçantë dhe se origjina shqiptare kishte luajtur një rol të rëndësishëm në këtë përkrahje.
“Në këtë zonë s’ka shumë shqiptarë, por ata që janë më mbështetën dhe nuk pyetën fare për pikëpamjet politike. Më mbështetën vetëm për origjinën shqiptare”, deklaroi Hoxha.
Fitorja e Joe Hoxhës shënon një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve në politikën amerikane, duke dëshmuar gjithashtu se angazhimi në jetën publike mund të nisë nga përvoja në fushatat e të tjerëve dhe të përfundojë në një kandidim të suksesshëm.
Përtej rezultatit elektoral, historia e tij sjell në vëmendje edhe rolin e komunitetit shqiptar në SHBA dhe mbështetjen që bashkatdhetarët u japin përfaqësuesve me origjinë shqiptare në jetën politike amerikane./BS










