Nga Endi Tufa
Portieri italian Elia Caprile përballet me pengesa rregullatore për të përfaqësuar Shqipërinë, ndërsa Amar Gerxhaliu mbetet jashtë për arsye tekniko-taktike. Balliu drejt tërheqjes, Strakosha pranë rikthimit.
Pasaporta shqiptare nuk garanton automatikisht të drejtën për të veshur fanellën e Kombëtares. Kjo duket qartë në rastet e Elia Capriles dhe Amar Gerxhaliut, dy futbollistë që, pavarësisht dokumentacionit shqiptar, nuk pritet të jenë pjesë e listës së trajnerit Rolando Maran për ndeshjet e muajit nëntor.
Situata e tyre, megjithatë, është krejt e ndryshme. Nëse për mbrojtësin Amar Gerxhaliu mungesa lidhet me zgjedhjet sportive të stafit teknik, për portierin italian Elia Caprile çështja është shumë më e ndërlikuar dhe lidhet drejtpërdrejt me rregulloret e FIFA-s.
Portieri i Cagliarit ka siguruar pasaportën shqiptare përmes lidhjes me partneren e tij shqiptare, por nuk ka prejardhje familjare apo lidhje gjaku me Shqipërinë. Pikërisht ky fakt përbën pengesën kryesore për një përfaqësim të mundshëm të kuqezinjve. Shtetësia civile nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe të drejtën për të luajtur për një kombëtare.
Rregulloret e FIFA-s përcaktojnë kritere të qarta për futbollistët që dëshirojnë të përfaqësojnë një shtet me të cilin nuk kanë lidhje familjare. Sipas nenit 7 të Rregullores për Zbatimin e Statutit të FIFA-s, një prej kushteve është qëndrimi i vazhdueshëm për të paktën pesë vite në territorin e vendit pas mbushjes së moshës 18 vjeç.
Këto dispozita synojnë të parandalojnë fenomenin e njohur si “nationality shopping”, ku futbollistët ndryshojnë shtetësinë sportive për të përfaqësuar një kombëtare me të cilën nuk kanë lidhje të mirëfilltë. Një precedent domethënës është ai i Azerbajxhanit në futsall, ku pas një proteste të Rumanisë u vu në diskutim plotësimi i kritereve të qëndrimit pesëvjeçar për disa lojtarë brazilianë të natyralizuar.
Për rrjedhojë, rasti i Capriles mund të kërkojë një procedurë të gjatë administrative dhe ligjore për të përcaktuar nëse ai plotëson kushtet e nevojshme për të përfaqësuar Shqipërinë. Për momentin, rruga drejt Kombëtares mbetet e komplikuar.
Ndryshe paraqitet situata e Amar Gerxhaliut. Mbrojtësi me origjinë nga Kosova është i pajisur me dokumentacionin shqiptar dhe nuk raportohet të ketë pengesa rregullatore për përfaqësimin e Shqipërisë. Megjithatë, ai nuk është aktualisht në planet e Rolando Maranit, i cili ka zgjedhur alternativa të tjera për repartin defensiv.
Ndërkohë, lista e nëntorit pritet të konfirmojë edhe një mungesë të rëndësishme. Ivan Balliu nuk pritet të jetë pjesë e grupit kuqezi, ndërsa gjithçka tregon se mbrojtësi është pranë mbylljes së aventurës së tij me Kombëtaren. Mbetet vetëm një komunikim zyrtar nga vetë futbollisti për të konfirmuar tërheqjen përfundimtare.
Në krahun tjetër, lajmi pozitiv vjen nga Thomas Strakosha. Portieri i AEK-ut pritet të rikthehet në dispozicion të trajnerit Maran, pasi ka rifilluar stërvitjen me skuadrën greke. Edhe prania e tij në stolin e AEK-ut në përballjen ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve është një sinjal inkurajues për rikuperimin.
Kështu, në prag të publikimit të listës zyrtare, Shqipëria përballet me disa zhvillime interesante: Caprile mbetet peng i rregulloreve të FIFA-s, Gerxhaliu jashtë për arsye sportive, Balliu pranë lamtumirës dhe Strakosha në rrugën e rikthimit. Një panoramë që tregon se jo çdo pasaportë të çon në Kombëtare dhe se vendi në fanellën kuqezi fitohet përmes kritereve sportive dhe rregullatore./TCH










