Prishtinë, 05 nëntor 2026 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe njëherësh kryesuesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen e Zvicrës për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Gjatë takimit, presidentja Shiroka Pula vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që shteti zviceran i ka ofruar Kosovës ndër vite. Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë. Sipas saj, ekziston potencial i konsiderueshëm për zgjerimin e marrëdhënieve tregtare, veçanërisht përmes mundësive që ofron EFTA.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe perspektivës ndërkombëtare të Kosovës. Presidentja Shiroka Pula kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për avancimin e procesit të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, ajo vuri në pah edhe rolin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve, përmes kontributit të saj në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore.
Presidentja gjithashtu shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm të kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999, duke vlerësuar kontributin e tij në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, rikonfirmoi përkushtimin e Zvicrës për të qëndruar pranë Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur mbështetjen e tij për bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet dy vendeve dhe për presidenten Shiroka Pula.
Takimi rikonfirmon rëndësinë e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, i cili mbështetet në lidhje të forta historike, njerëzore dhe ekonomike, si dhe në interesin e përbashkët për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm, njofton Ambasada e Kosovës në Zvicër, përcjell helveticALforum.ch










