BallinaEKSKLUZIVEAmbasadori Cassis paralajmëron një fazë të re të bashkëpunimit Zvicër-Kosovë

Ambasadori Cassis paralajmëron një fazë të re të bashkëpunimit Zvicër-Kosovë

-

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe proceset integruese të Kosovës ishin në fokus të takimit të sotëm ndërmjet zëvendëskryeministrit të Parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca dhe homologut të tij zviceran, Ignazio Cassis. Pas takimit, Konjufca vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar se ato tejkalojnë bashkëpunimin diplomatik dhe mbështeten në lidhjet e afërta ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve, raporton KosovaPress. Konjufca shprehu gjithashtu pritjen që Zvicra ta mbështesë Kosovën në fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës.

Konjufca: Raportet Kosovë-Zvicër e tejkalojnë bashkëpunimin diplomatik

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës janë jo vetëm diplomatike, por edhe të natyrës komunitare. Ato mbështeten në historinë që na ka afruar, besimin e ndërsjellë dhe lidhjet e afërta që kanë njerëzit dhe popujt tanë. E falënderoj ministrin Cassis dhe popullin zviceran për miqësinë që i ka ndihmuar shumë Kosovës dhe për partneritetin e vazhdueshëm”, tha Konjfuca.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, vlerësoi progresin e arritur nga Kosova, duke paralajmëruar një fazë të re të bashkëpunimit nga viti 2029, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet dhe tregtinë.

Ai theksoi se marrëveshja me EFTA-n krijon mundësi të reja për shkëmbimet tregtare, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, ku bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës tashmë është i rëndësishëm.

Cassis paralajmëron një fazë të re të bashkëpunimit Zvicër-Kosovë

“Kosova ka bërë progres të madh dhe të theksuar. Kjo na mundëson që bashkëpunimin tonë, nga viti 2029, ta sjellim në një fazë të re. Në një fazë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ku investimet dhe tregtia do të kenë një rol qendror. Kësaj i shtojmë një numër të madh instrumentesh, siç është marrëveshja e tregtisë së lirë me shtetet e EFTA-s, e cila që nga muaji i kaluar ka hyrë në fuqi. Kjo luan një rol të mirë për shërbimet, pasi tregtia në aspektin e shërbimeve mes Kosovës dhe Zvicrës është e fuqishme”, theksoi ai.

Cassis foli edhe për rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, duke nënvizuar se ato janë të ndërlidhura me sigurinë e rajonit dhe më gjerë. Ai rikujtoi kontributin e Zvicrës në stabilitetin rajonal përmes bashkëpunimit ndërkombëtar zhvillimor, si dhe pjesëmarrjen e saj në misionin e KFOR-it që nga viti 1999.

Kryediplomati zviceran për Kosovën: Paqja, siguria dhe stabiliteti juaj janë stabiliteti ynë

“Paqja, siguria dhe stabiliteti juaj janë stabiliteti ynë. Këtë e themi haptazi dhe qartë. Prandaj jemi të angazhuar në këtë stabilitet që nga viti 1995, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar zhvillimor, duke kontribuar me tre miliardë euro që i kemi investuar në rajon për këtë stabilitet. Që nga viti 1999, shteti im është pjesëmarrës në trupat e KFOR-it dhe ky është shërbimi ynë më i madh i jashtëm ushtarak”, tha ai. Cassis rikonfirmoi angazhimin e Zvicrës për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke shprehur shpresën për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e përparimit në integrimin e komuniteteve etnike, përfshirë komunitetin serb, si dhe të përfaqësimit dhe trajtimit të tyre përmes mekanizmave përkatës.

Cassis: Zvicra po punon shumë gjatë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë- Serbi

“Zvicra po punon shumë gjatë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj që një ditë të arrijmë një qëllim… Dua t’ju them të punoni me zell për t’i integruar minoritetet e grupeve etnike, jo vetëm serbët, për t’i përfaqësuar dhe trajtuar me instrumentet përkatëse. Kjo për ne do të ishte me rëndësi dhe do të na gëzonte”, tha ai./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Fadil Berisha nderohet në Vatikan

0
NGA FRANK SHKRELI Një tjetër krenari për shqiptarët e Amerikës dhe për Kombin kur arti, humanizmi dhe identiteti shqiptar takohen në skenën ndërkombëtare. Falë nderës Zotit,...