Demokratët Europianë kanë reaguar lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke ngritur shqetësimin për pretendimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia, keqtrajtimin dhe ndalimet arbitrare të protestuesve. Përmes një deklarate publike, ata i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të garantojë hetime të pavarura dhe të vendosë para përgjegjësisë çdo person që rezulton i përfshirë në shkelje.
Në reagimin e tyre, Demokratët Europianë theksojnë se çdo formë dhune duhet të dënohet, pavarësisht se nga kush ushtrohet. Ata dënojnë veçanërisht dhunën ndaj efektivëve të policisë dhe grave, por nënvizojnë se asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë abuzimin apo torturën nga ana e shtetit. Sipas tyre, autoritetet shqiptare kanë përgjegjësinë të garantojnë respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të sigurojnë që forcat e policisë të veprojnë në përputhje me parimin e proporcionalitetit gjatë menaxhimit të protestave. Në deklaratë, një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe transparencës së institucioneve dhe nevojës për hetime të pavarura mbi pretendimet e ngritura nga organizatat kundër torturës. Demokratët Europianë kërkojnë që çdo shkelje e mundshme të hetohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit. Mesazhi i tyre përfundon me një qëndrim të prerë kundër çdo forme të torturës dhe keqtrajtimit, duke rikujtuar se respektimi i dinjitetit njerëzor dhe i të drejtave themelore nuk mund të vihet në diskutim.
“Tortura nuk ka vend në Europë”, thuhet në përfundim të reagimit të Demokratëve Europianë.
Reagimi i plotë i Demokratëve Europianë:
“Dje në Shqipëri, organizatat kundër torturës ngritën akuza serioze për përdorim të tepruar të forcës, keqtrajtim dhe ndalime arbitrare gjatë protestave. Dhuna ndaj efektivëve të policisë dhe grave duhet të dënohet me vendosmëri dhe pa asnjë ekuivok. Por asnjë shtet nuk mund t’i përgjigjet dhunës me abuzim apo torturë. Qeveria e Edi Ramës duhet të garantojë hetime të pavarura, vënie para përgjegjësisë dhe përdorim proporcional të forcës nga policia. Tortura nuk ka vend në Europë.” /BW










