Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në organizimin e ditës shkollore, duke bërë të ditur se nga viti i ardhshëm nxënësit do të qëndrojnë në ambientet e shkollës deri në orën 17:00.
Gjatë fjalës së tij këtë pasdite, Rama theksoi se kjo nismë synon të lehtësojë jetën e prindërve që janë në marrëdhënie pune, ndërsa fëmijëve do t’u ofrojë më shumë mundësi për t’u angazhuar në aktivitete edukative, kulturore dhe sportive.
Sipas kryeministrit, zgjatja e orarit të qëndrimit në shkollë do të shoqërohet me zgjerimin e gamës së aktiviteteve jashtë procesit të zakonshëm mësimor, duke përfshirë sportin, artin skenik, pikturën, zejet, fotografinë dhe fusha të tjera krijuese.
“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile për të pasuruar aktivitetet sociale të fëmijëve, duke synuar jo vetëm zhvillimin e aftësive të tyre, por edhe nxitjen e socializimit dhe ndërveprimit me bashkëmoshatarët.
Një tjetër çështje e përmendur nga kryeministri ishte edhe kufizimi i përdorimit të rrjeteve sociale nga të miturit. Rama bëri të ditur se për këtë çështje do të zhvillohen konsultime me prindërit dhe mësuesit, për të diskutuar masat e mundshme dhe mënyrën e zbatimit të tyre.
Nisma për qëndrimin e zgjatur në shkollë dhe konsultimet për rrjetet sociale vijnë në kuadër të diskutimeve për një mjedis më të sigurt dhe më të përshtatshëm për zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve.










