BallinaAtdheuRama paralajmëron kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit: Në diskutim mosha...

Rama paralajmëron kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit: Në diskutim mosha 16 apo 18 vjeç

-

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një konsultimi publik për kufizimin e aksesit të fëmijëve dhe adoleshentëve në rrjetet sociale. Nisma do të diskutohet me mësuesit, prindërit dhe përfaqësuesit e shkollave, ndërsa një nga çështjet kryesore që do të shqyrtohet është përcaktimi i kufirit të moshës, 16 apo 18 vjeç, deri në të cilin të miturit nuk duhet të kenë llogari individuale në platformat sociale.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, kreu i qeverisë u shpreh se ndikimi i rrjeteve sociale në jetën e të rinjve është kthyer në një shqetësim që kërkon ndërhyrje dhe një qasje të re nga institucionet.

Sipas Ramës, përdorimi i platformave sociale ka ndryshuar mënyrën se si fëmijët dhe adoleshentët komunikojnë e socializohen, duke nxitur izolimin dhe duke zbehur dallimin mes realitetit fizik dhe botës virtuale.

Duke iu referuar edhe përfshirjes së të miturve në protesta të dhunshme, kryeministri theksoi se kjo situatë kërkon më shumë vëmendje ndaj mënyrave të ndërveprimit dhe socializimit të fëmijëve në jetën reale.

“Duhet hapur debati deri kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, dhe deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale”, deklaroi Rama.

Ai bëri të ditur se konsultimi do të ndjekë një model të ngjashëm me atë të përdorur më herët për kufizimin e TikTok-ut, duke përfshirë në diskutim mësuesit, prindërit dhe shkollat. Sipas tij, kufizimi i aksesit të të miturve në rrjetet sociale është një tendencë që po shqyrtohet edhe në disa vende demokratike.

Më shumë aktivitete sociale dhe qëndrim më i gjatë në shkolla

Përtej kufizimit të përdorimit të rrjeteve sociale, Rama vuri theksin edhe te nevoja për të krijuar më shumë mundësi që fëmijët të angazhohen në aktivitete jashtë botës virtuale.

Në këtë drejtim, ai kërkoi bashkëpunim më të madh mes institucioneve dhe shoqërisë civile për të zgjeruar aktivitetet sportive, kulturore dhe sociale për të miturit.

Një tjetër masë e paralajmëruar nga kryeministri është zgjatja e orarit të qëndrimit të fëmijëve në shkolla deri në orën 17:00, duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor.

Rama bëri me dije se për këtë qëllim është parashikuar një buxhet i posaçëm, me synimin që fëmijët të qëndrojnë në ambiente shkollore edhe pas përfundimit të mësimit, ndërsa prindërit të kenë mundësi të vijojnë aktivitetin e tyre të punës.

Nisma pritet të hapë një debat të gjerë mbi sigurinë e fëmijëve në internet, përgjegjësinë e platformave sociale dhe rolin e familjes e të shkollës në edukimin digjital. Megjithatë, mbetet për t’u parë se cili do të jetë kufiri përfundimtar i moshës dhe si do të zbatohet në praktikë çdo kufizim i mundshëm, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Zgjedhjet vendore më 9 maj 2027, Presidenti Begaj dekreton datën e...

0
Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Në një njoftim zyrtar, Presidenca bën me dije...