BallinaSportiLojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” shtrihen edhe në Pejë, Gjakovë e Prizren, Kurti...

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” shtrihen edhe në Pejë, Gjakovë e Prizren, Kurti konfirmon përfshirjen e komunave

-

Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj do të jenë pjesë e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se organizimi do të bëhet sipas konceptit të paraqitur në Librin e Kandidaturës, ndërsa përgatitjet për infrastrukturën sportive dhe projektet prioritare janë duke vazhduar.

Komunat jashtë kryeqytetit do të kenë rol të rëndësishëm në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Kjo është konfirmuar në takimin e radhës të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare (KOLM), ku në fokus të diskutimeve ishin drafti i Masterplanit, projektet prioritare dhe hapat e mëtejmë drejt realizimit të këtij organizimi ndërkombëtar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është riafirmuar vendimi që Lojërat të zhvillohen sipas shtrirjes së paraparë në Librin e Kandidaturës, duke përfshirë edhe disa komuna të tjera përveç Prishtinës.

Sipas tij, Peja, Gjakova, Prizreni, Drenasi dhe Skenderaj kanë qenë pjesë e konceptit fillestar të aplikimit të Kosovës për organizimin e këtyre garave.

“Pikërisht me këtë koncept Kosova e fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka theksuar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se përfshirja e këtyre komunave dhe shfrytëzimi i objekteve sportive do të pasqyrohen në rishikimin e draftit të Masterplanit, i cili aktualisht është ende në shqyrtim.

Një pjesë e rëndësishme e këtij procesi janë edhe investimet në infrastrukturën sportive nëpër komuna. Në këtë drejtim, Kurti ka përmendur punimet në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, palestrën “Sezai Surroi” në Prizren dhe palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.

Sipas tij, këto investime nuk do të shërbejnë vetëm gjatë Lojërave Mesdhetare, por do të mbeten në funksion të sportistëve dhe zhvillimit të sportit edhe pas përfundimit të tyre.

Në fokus edhe projektet kryesore në Prishtinë

Gjatë takimit të KOLM-së është diskutuar edhe për vazhdimin e punës në projektet prioritare që lidhen drejtpërdrejt me organizimin e Lojërave.

Ndër projektet kryesore janë Qendra e Studentëve, e cila parashihet të shërbejë si Fshat i Atletëve, Pallati i Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, Qendra Akuatike dhe Qendra Nacionale e Tenisit.

Po ashtu, është ritheksuar rëndësia e ndërtimit të Stadiumit Nacional, i cili është konsideruar projekt shtetëror me rëndësi për zhvillimin afatgjatë të sportit në Kosovë.

“Fadil Vokrri” në shqyrtim për ceremonitë hapëse dhe mbyllëse

Një tjetër çështje e diskutuar ka qenë organizimi i ceremonive të hapjes dhe mbylljes së Lojërave Mesdhetare.

Në këtë kuadër, është shqyrtuar mundësia e shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, me kapacitet të shtuar. Megjithatë, për këtë propozim pritet të bëhet një vlerësim i detajuar i kërkesave organizative dhe afateve të nevojshme për përgatitjen e stadiumit.

Në përfundim të takimit, anëtarët e Komitetit Organizativ janë pajtuar që në takimin e ardhshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare të prezantohen me një qëndrim të përbashkët, duke paraqitur hapat e ardhshëm të përgatitjeve.

Organizimi i “Prishtina 2030” shihet si një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e sportit, modernizimin e infrastrukturës dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përfshirja e disa komunave në këtë projekt pritet që përfitimet e organizimit të mos përqendrohen vetëm në kryeqytet, por të shtrihen në pjesë të ndryshme të vendit./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

SONTE NË SAN SIRO, NË QENDËR TË VËMENDJES DERBI I MADH...

0
Milani dhe Interi përballen sonte në një duel ku nuk ka vend për gabime – krenaria e qytetit dhe tri pikët janë në lojë. Futbolli...