BallinaDiasporaKusari në Berlin: Kosova synon më shumë investime dhe eksporte në tregun evropian

Kusari në Berlin: Kosova synon më shumë investime dhe eksporte në tregun evropian

-

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, po qëndron në Berlin, ku ka zhvilluar një sërë takimesh dhe aktivitetesh të fokusuara në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Në kuadër të vizitës, Kusari siç mëson helveticALforum.ch ka marrë pjesë në raundin e parë të “Diplomatic Circle”, një platformë e re e organizuar nga Business Factors, e cila synon të krijojë hapësirë për bashkëpunim, shkëmbim dhe rrjetëzim ndërmjet përfaqësuesve të diplomacisë dhe komunitetit të biznesit në Berlin. Në këtë aktivitet, ministrja kosovare ka prezantuar potencialin ekonomik të Kosovës, mundësitë për investime dhe hapësirat për thellimin e bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane.

Në aktivitet kanë marrë pjesë edhe ministrja federale gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Reem Alabali-Radovan, ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, si dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik dhe komunitetit të biznesit.

Sipas Kusarit, diskutimet me ministren federale gjermane janë përqendruar në mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe krijimit të mekanizmave të rinj për mbështetjen e kompanive gjermane që synojnë të investojnë në Evropën Juglindore, përfshirë Kosovën.

Marrëveshja me EFTA-n, mundësi për tregje të reja

Një nga zhvillimet e veçuara nga ministrja është edhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s. Kusari e ka cilësuar këtë zhvillim si një mundësi të re për kompanitë kosovare, duke theksuar se hapja e tregjeve të reja për mallrat dhe shërbimet e Kosovës duhet të shoqërohet me rritje të prodhimit dhe kapaciteteve eksportuese. Vizita në Berlin, sipas saj, vjen në vazhdën e një angazhimi më të gjerë për forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Gjermaninë. Gjatë vitit të fundit, institucionet kosovare kanë mbështetur pjesëmarrjen e bizneseve të Kosovës në disa prej panaireve dhe platformave më të rëndësishme ekonomike në Gjermani, përfshirë ITB Berlin, Light + Building në Frankfurt, ProWein në Düsseldorf dhe Hannover Messe. Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka qenë krijimi i kontakteve të reja për bizneset kosovare, rritja e mundësive për eksport dhe tërheqja e investimeve, si dhe integrimi i kompanive vendore në zinxhirët evropianë të vlerës.

Synohen investime dhe prodhim më i madh në Kosovë

Kusari ka theksuar se ambicia e Kosovës nuk duhet të kufizohet vetëm në rritjen e vëllimit të tregtisë me Gjermaninë. Sipas saj, synimi është që Kosova të arrijë më shumë prodhim vendor, më shumë eksporte, rritje të investimeve gjermane dhe përfshirje më të madhe të kompanive kosovare në tregjet dhe zinxhirët e furnizimit të Evropës. Në këtë kuadër, bashkëpunimi me kompanitë gjermane shihet si një mundësi për të sjellë kapital, teknologji, përvojë dhe qasje më të madhe në tregjet evropiane. Një tjetër aktivitet është paralajmëruar për 28 dhe 29 tetor në Prishtinë, ku pritet të organizohet një konferencë me fokus në transformimin digjital dhe inteligjencën artificiale, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, si dhe prodhimin e avancuar. Konferenca do të organizohet nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

“Ta kthejmë potencialin në vlerë dhe vende pune”

Duke folur për objektivat e bashkëpunimit ekonomik, Kusari ka theksuar nevojën që potenciali i Kosovës të shndërrohet në rezultate konkrete për ekonominë dhe qytetarët. Ajo ka vlerësuar se marrëdhëniet me Gjermaninë duhet të zhvillohen përtej shkëmbimit tregtar, duke synuar investime të reja, rritje të prodhimit, zgjerim të eksporteve dhe krijim të vendeve të punës.

“Koha është ta kthejmë potencialin tonë në vlerë, vende pune dhe mundësi të reja për njerëzit tanë dhe zhvillim të qëndrueshëm”, është shprehur Kusari. Gjermania mbetet një prej partnerëve të rëndësishëm ekonomikë të Kosovës, ndërsa angazhimet e zhvilluara në Berlin synojnë që ky partneritet të zgjerohet në fusha të reja dhe të krijojë më shumë mundësi për bizneset dhe investitorët e të dyja vendeve, transmeton helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbyllet dita e 124 e protestës: Poshtë narkoshteti!

0
Ka përfunduar protesta e 124-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e zhvilluar këtë të enjte në Tiranë. Në përfundim të tubimit, protestuesit kanë...