BallinaSportiKosova ndalet në barazim pa gola ndaj Izraelit

Kosova ndalet në barazim pa gola ndaj Izraelit

-

Përfaqësuesja e Kosovës ka barazuar 0:0 me Izraelin në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen të Hungarisë, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Kombeve.

Përfaqësuesja e Kosovës zhvilloi një paraqitje më të mirë gjatë pjesës më të madhe të takimit dhe krijoi disa mundësi të mira për shënim, por mungesa e golit bëri që sfida të përfundonte pa fitues.

Takimi nisi me një ritëm të mirë, ndërsa Kosova në minutat e para pati më shumë kontroll të topit dhe u përpoq të ndërtonte aksione drejt portës kundërshtare.

Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 32-të, kur Izraeli rrezikoi përmes Nikita Stoinov. Ai tentoi të shërbente Tai Baribon, por portieri i Kosovës, Amir Saipi, reagoi me kohë dhe ndërpreu aksionin.

Vetëm katër minuta më vonë, Kosova pati rastin më të mirë të pjesës së parë. Lumbardh Dellova mori hapësirë në hyrje të zonës dhe goditi fuqishëm drejt pjesës së sipërme të portës, por portieri izraelit Assaf Tzur reagoi mirë dhe e ndali goditjen.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0:0.

Kosova kërkoi golin në pjesën e dytë

Në vazhdim, Përfaqësuesja e Kosovës u shfaq edhe më kërkuese dhe krijoi disa mundësi për të kaluar në epërsi.

Në minutën e 53-të, Muharrem Jashari provoi nga distanca, por Tzur ishte në vendin e duhur dhe ndali goditjen.

Izraeli reagoi vetëm pak çaste më vonë. Dor Peretz pranoi një krosim brenda zonës dhe goditi drejt portës, por Amir Saipi bëri një pritje të shkëlqyer duke shpëtuar portën e Kosovës.

Trajneri Franco Foda ndërhyri me zëvendësime pas minutës së 60-të, duke aktivizuar Dion Gallapenin, Veldin Hodzën dhe Leon Avdullahun. Më vonë në fushë u fut edhe Milot Rashica, ndërsa Edon Zhegrova u aktivizua në minutën e 77-të.

Në minutën e 75-të erdhi një tjetër mundësi e mirë për Kosovën. Milot Rashica dha një pasim të saktë për Valmir Matoshin, por goditja e tij brenda zonës përfundoi shumë pranë shtyllës së djathtë.

“Dardanët” vazhduan të kërkonin golin edhe në minutat e fundit. Në minutën e 90-të, Veldin Hodza goditi drejt portës, por tentativa e tij u bllokua nga mbrojtja izraelite.

Goli megjithatë nuk erdhi dhe ndeshja përfundoi me rezultatin 0:0.

Kosova mbetet e dyta në grup

Me këtë barazim, Përfaqësuesja e Kosovës grumbullon katër pikë dhe mbetet në vendin e dytë të grupit.

Austria kryeson me shtatë pikë, ndërsa Republika e Irlandës ka gjithashtu katër pikë. Izraeli mbetet në fund të grupit me një pikë.

Kosova e nisi këtë edicion me fitore 1:0 ndaj Republikës së Irlandës, ndërsa në ndeshjen e dytë pësoi humbje 3:1 ndaj Austrisë.

Barazimi ndaj Izraelit i jep Kosovës një tjetër pikë, por “Dardanët” do të kenë arsye të mendojnë për mundësitë e humbura, pasi gjatë 90 minutave patën disa raste për ta marrë fitoren.

Megjithatë, Përfaqësuesja e Kosovës vazhdon të mbetet në garë për pozitat e kreut të grupit, ndërsa sfidat e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbyllet dita e 124 e protestës: Poshtë narkoshteti!

0
Ka përfunduar protesta e 124-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, e zhvilluar këtë të enjte në Tiranë. Në përfundim të tubimit, protestuesit kanë...