BE-ja po përgatit rregulla më të ashpra për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Llogaritë e pavarura në rrjetet sociale mund të lejohen vetëm nga mosha 15-vjeçare. Zvicra nuk është e detyruar t’i zbatojë këto rregulla, por mund të përballet me presion për t’u përshtatur.
Mbrojtja e fëmijëve dhe adoleshentëve në botën digjitale po merr një dimension të ri në Evropë, transmeton 20min.ch. Bashkimi Evropian po përgatit një kuadër të ri rregullash, të njohur si “EU Kids Act”, që synon të kufizojë qasjen e të miturve në platformat e rrjeteve sociale dhe të vendosë përgjegjësi më të mëdha mbi kompanitë teknologjike. Në qendër të debatit është një propozim që mund të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si të rinjtë përdorin rrjetet sociale: nën moshën 15-vjeçare, fëmijët nuk do të mund të kenë në mënyrë të pavarur llogari në platformat që konsiderohen me rrezik të lartë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e vendosi mbrojtjen e fëmijëve në internet në qendër të fjalimit të saj për gjendjen e Bashkimit Evropian. Sipas saj, platformat digjitale po ndikojnë fuqishëm në vëmendjen, përqendrimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
SI DO TË FUNKSIONONTE KUFIRI I RI?
Sipas planeve të bëra publike paraprakisht, rregullat do të zbatoheshin në mënyrë të shkallëzuar. Fëmijët nën 13 vjeç do të mund të përdorin vetëm platforma të përshtatshme për moshën dhe nën mbikëqyrjen e prindërve. Nga 13 deri në 15 vjeç, prindërit do të mund të krijojnë llogari të kufizuara, me kontrolle prindërore, kufizime kohore dhe kontakte të reduktuara me persona të panjohur. Nga mosha 15 vjeç, të rinjtë do të mund të kenë llogari të pavarura në platformat që klasifikohen si me rrezik të lartë. Në shënjestër nuk janë domosdoshmërisht të gjitha rrjetet sociale. Rrezik konsiderohen funksione si rekomandimet e personalizuara, mundësitë për kontakt me të panjohur dhe mekanizmat që nxisin përdorimin e vazhdueshëm, përfshirë të ashtuquajturin “doomscrolling”.
EDHE TË RRITURIT MUND TË DUHET TË DËSHMOJNË MOSHËN
Një nga çështjet më të ndjeshme është kontrolli i moshës. Platformat do të duhej të ishin në gjendje të verifikonin në mënyrë të besueshme moshën e përdoruesve. Kjo do të nënkuptonte se, në parim, edhe të rriturit mund të duhet të dëshmojnë se janë mbi kufirin e përcaktuar. Komisioni Evropian po shqyrton përdorimin e një aplikacioni të posaçëm për verifikimin e moshës, ndërsa edhe zgjidhje të tjera do të lejoheshin nëse plotësojnë të njëjtat kërkesa.
PO ZVICRA, A DUHET TË BASHKOHET?
Kjo është pyetja që tashmë po hap një debat të veçantë në Zvicër. Jo automatikisht. Rregullat e Bashkimit Evropian nuk vlejnë drejtpërdrejt në Zvicër. Për këtë arsye, nëse BE-ja vendos një kufizim të tillë, adoleshentët në Zvicër nuk do të preken automatikisht nga ai. Por situata mund të jetë më komplekse në praktikë. Platformat ndërkombëtare mund të vendosin t’i ndryshojnë funksionet e tyre në mënyrë të njëjtë për tregje të ndryshme, në vend që të krijojnë sisteme krejtësisht të ndryshme për secilin shtet. Profesoresha e së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare në Universitetin e Cyrihut, Helen Keller, e konsideron të mundshme që Zvicra, për arsye praktike, të afrohet me rregullat e reja evropiane. Në të njëjtën kohë, ajo ka ngritur pyetje edhe për efektivitetin dhe proporcionalitetin e një ndalimi të tillë.
A MJAFTON NDALIMI?
Një nga dilemat kryesore është nëse kufizimi i moshës e zgjidh problemin apo vetëm e shtyn atë. Edhe nëse vendosen kontrolle të forta, ekzistojnë mundësi për shmangie të tyre. Për këtë arsye, krahas kufizimeve, ekspertët theksojnë nevojën për edukim digjital.Të rinjtë duhet të mësojnë se si të dallojnë manipulimin, përmbajtjet e rreme, varësinë nga platformat dhe ndikimin e algoritmeve.Kjo çështje nuk lidhet vetëm me fëmijët. Rrjetet sociale ndikojnë edhe tek të rriturit, përfshirë mënyrën se si njerëzit informohen dhe formojnë qëndrime për çështje shoqërore e politike.
E-ID MUND TË JETË PJESA E ZGJIDHJES
Për Zvicrën, një tjetër çështje e rëndësishme është identifikimi digjital. Kontrolli i moshës në internet bëhet shumë më i lehtë nëse ekziston një sistem i besueshëm i identitetit elektronik. Deri në funksionalizimin e plotë të zgjidhjeve të tilla, verifikimi i moshës mund të mbetet teknikisht dhe juridikisht më i ndërlikuar. Prandaj, debati për rrjetet sociale mund të lidhet edhe me zhvillimin e identitetit digjital në Zvicër.
NUK KA NDALIM TË MENJËHERSHËM
Plani evropian nuk nënkupton se nga nesër fëmijët nën 15 vjeç do të përjashtohen nga rrjetet sociale. Propozimi duhet të prezantohet, pastaj të diskutohet dhe të negociohet nga Parlamenti Evropian dhe 27 shtetet anëtare. Gjatë këtij procesi rregullat mund të ndryshojnë dhe hyrja eventuale në fuqi do të kërkonte kohë.Për Zvicrën, ndërkohë, mbetet e hapur një pyetje thelbësore: a do të ndërtojë një model të vetin për mbrojtjen e fëmijëve në internet, apo do të afrohet me standardet që po përgatiten në Bashkimin Evropian?Përgjigjja do të ketë rëndësi jo vetëm për adoleshentët zviceranë, por edhe për familjet shqiptare që jetojnë në Zvicër, për prindërit, shkollat dhe vetë të rinjtë, të cilët tashmë e kanë jetën digjitale pjesë të përditshmërisë së tyre, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch
(Foto ilustrim)










