Përgatiti: Dahest LUMA
“T’i lëmë inatet, të mos i lëmë vend përçarjes!” – apeli i PhD. Dashnim Hebibit për maturi, përgjegjësi dhe bashkim pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë
Në një ditë të ndjeshme për shqiptarët, kur vëmendja është përqendruar te shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, PhD. Dashnim Hebibi ka përcjellë një mesazh për maturi, unitet dhe përgjegjësi publike.
Hebibi, kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” dhe njëherësh president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih, përmes një reagimi në rrjetet sociale u ka bërë thirrje bashkëkombësve që, pavarësisht zhvillimeve të ditës, të mos lejojnë që inatet dhe ndasitë të zënë vend mbi interesin e përbashkët.
“T’i lëmë inatet, të mos i lëmë vend përçarjes!”, shkruan Hebibi, duke e vendosur theksin te përgjegjësia që, sipas tij, duhet të shoqërojë çdo reagim në një moment kaq të ndjeshëm.
Ai vlerëson se kjo nuk është koha për nxitim, deklarata të pamatura apo për të bërë publike çdo ide dhe plan për atë që mund të ndodhë pas shpalljes së aktgjykimit.
“Sot nuk është dita për të numëruar inatet, as për të nxituar me deklarata, akuza e plane se ‘çfarë do të bëhet nesër’”, shprehet Hebibi.
Në mesazhin e tij, ai veçon maturinë si një domosdoshmëri të momentit dhe bashkimin si përgjigje për të ardhmen.
“Sot kërkohet maturi. Nesër kërkohet bashkim”, shkruan ai, duke shtuar se jo çdo mendim duhet të dalë në media dhe jo çdo fjalë duhet të publikohet.
Sipas tij, në momente të ndjeshme kombëtare, edhe heshtja mund të jetë shenjë përgjegjësie, ndërsa uniteti përbën forcën kryesore përballë çdo sfide.
Në këtë frymë, Hebibi e përmbyll mesazhin duke rikujtuar vlerat që, sipas tij, duhet të qëndrojnë mbi dallimet dhe përplasjet e çastit: Kosova, liria, dinjiteti dhe interesi kombëtar.
Mesazhi i tij përmblidhet në tri fjali të shkurtra, por domethënëse:
“Mbi inatet – UNITET. Mbi zhurmën – PËRGJEGJËSI. Mbi ndasitë – ATDHEU.”
Dhe në fund vjen apeli:
“Të jemi bashkë. Të jemi të fortë.”
Në një kohë kur zhvillimet nga Haga pritet të vazhdojnë të jenë pjesë e debatit publik, mesazhi i Hebibit synon të vendosë theksin jo vetëm te ajo që thuhet sot, por edhe te mënyra se si do të sillemi nesër: me maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, me unitet.










