BallinaKulturaBeppe Ghisolfi viziton Bibliotekën Kombëtare, dhuron libra dhe forcon urat kulturore Shqipëri-Itali

Beppe Ghisolfi viziton Bibliotekën Kombëtare, dhuron libra dhe forcon urat kulturore Shqipëri-Itali

-

Tiranë, 10 shtator, 2026 – Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë pati sot një mysafir të veçantë. Bëhet fjalë për Beppe Ghisolfin, personalitet të njohur të jetës ekonomike, financiare dhe mediatike italiane, i cili zhvilloi një vizitë në institucionin më të rëndësishëm të librit në vend.

Ghisolfi, i njohur për kontributin e tij në sistemin bankar dhe financiar, si dhe për angazhimin e gjatë në promovimin e edukimit financiar, u prit me ngrohtësi nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Majlinda Toci. Përtej profilit të tij profesional, vizita mori një karakter të veçantë falë interesit të Ghisolfit për librin, dijen dhe kulturën shqiptare. Drejtoresha Toci e përshkroi mysafirin italian si një mik “simpatik, dashamirës dhe të ndjeshëm ndaj kulturës shqiptare”, duke nënvizuar rëndësinë e këtij takimi si një mundësi për afrimin kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë. Një nga momentet më domethënëse të vizitës ishte dhurimi i dy librave të autorit italian për Bibliotekën Kombëtare. Botimet do t’i shtohen fondit të Sallës Italiane të Leximit, ku do të jenë në dispozicion të studiuesve dhe lexuesve. Ky gjest merr një vlerë të veçantë në një institucion ku libri nuk është vetëm një objekt i ruajtur, por edhe një urë komunikimi mes kulturave. Përmes këtij dhurimi, vepra e Ghisolfit do të jetë tashmë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare dhe e aksesueshme për publikun shqiptar.

Vizita vijoi më pas edhe në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, ku Ghisolfi u prit nga drejtori i saj, Jonid Jorgji. Kështu, takimi u shtri edhe në një tjetër institucion të rëndësishëm të kulturës shqiptare, duke i dhënë vizitës një dimension më të gjerë artistik dhe kulturor.

Beppe Ghisolfi është një figurë me një përvojë të gjatë në botën e ekonomisë dhe financës, autor i disa botimeve dhe një prej zërave të njohur në Itali në fushën e edukimit financiar. Por në Tiranë ai u shfaq edhe në një tjetër dimension: atë të një miku të librit dhe të kulturës, i interesuar për të njohur dhe afruar më shumë botën shqiptare me atë italiane.

Në përfundim të vizitës, drejtuesja e Bibliotekës Kombëtare shprehu mirënjohjen për praninë e Ghisolfit dhe për dhuratën e tij, duke shpresuar që ky takim të jetë vetëm fillimi i një miqësie dhe bashkëpunimi të ri kulturor shqiptaro-italian. Një vizitë që nisi me librin, por që synon të ndërtojë ura më të gjera mes njerëzve, institucioneve dhe dy kulturave që prej kohësh ndajnë lidhje të forta historike e njerëzore, transmeton Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Mbyllet tubimi i 103/ Protestuesit thirrje në kor: Nesër më shumë

0
Është mbyllur protesta e 103 e qytetarëve kundër qeverisë. Me thirrjet “Nesër më shumë”, u mbyll dhe tubimi për këtë natë. Kujtojmë se ditën e...