Mësuese Liljana Picari: “Prindërit shqiptarë duhet të flasin shqip në shtëpi, t’i dërgojnë sa më shpesh fëmijët në Shqipëri dhe të dhurojnë libra shqip”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. E nderuar mësuese Liljana, cili është historiku i kursit të gjuhës shqipe në Irlandë?
Shkollë shqipe të mirëfilltë në Irlandë nuk ka. Para disa vitesh, thonë disa anëtarë aktive të komunitetit të Dublinit, ka pasur një kurs shqip që ka zgjatur vetëm një cikël mësimor e me gjithë dëshirën e përpjekjet për ta rifilluar atë në shtatorin e mëtejshëm, nuk u realizua.
Përsa i përket kursit tonë Shqip A.B.C. Dublin (marrë nga inicialet e Albanian Book Lovers Culture Club, po në Dublin), u vendos të krijohet ditën e themelimit të këtij grupi letrar më 23 Gusht 2025 duke qenë e pranishme edhe Anila Kadija, anëtare KKAD-së, Mësimdhënëse në Diasporën shqiptare në Itali (si dhe unë vetë), aktualisht nga shumë vite në Angli me Shoqatën Ardhmëria që përforcoi dhe i dha një shtysë kësaj kërkese prindëreshash për fëmijët e tyre. Kursi filloi me 13 shtator 2025 në ambjentet e Bibliotekës që u takuam vetëm 3 javë më parë (si më sipër), një herë në dy javë, të shtunë mbasdite 14.30 – 16.30, me dy mësuese vullnetare, Arjana Rama – ish Mësuese në profesion në Shqipëri dhe unë vetë Liljana Picari – ish mësuese vullnetare me formacion dhe experience në Itali dhe rezidente në Dublin që nga viti 2018. Kursi përfundoi në Maj 2026 për të rifilluar sërish këtë Vit të ri shkollor 2026/27.

2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?
GHUHA SHQIPE dhe kultura shqiptare Niveli I nga QBD Tiranë, Abetare dhe fletore pune për parashkollorë, Libra e tekste didaktike të tjera ndihmëse të biblotekës sime personale dhe së fundmi Librat dy gjuhësore Shqip-Anglisht po nga QBD Tiranë. Personalisht kam krijuar një lëndë mësimore të re “Shqipja Praktike” (Practice Albanian), që ka për qëllim të përqëndrohet tek “gjuha funksionale” ajo që flitet kudo si terminologji, dialog e media të shkruar & të folur.
Thirrja ime për prindërit shqiptarë është të vazhdojnë të flasin shqip në shtëpi, t’i dërgojnë sa më shpesh fëmijët në Shqipëri, të dhurojnë libra shqip për ditëlindje ose festa të ndryshme e sidomos, t’i regjistrojnë e t’i motivojnë ato në ndjekjen e kurseve shqip në Diasporë. Atje ku oferta e mësimdhënies është e shumtë, të zgjedhin mësimdhënësit me trajnim ose kualifikim të veçantë për mësimdhënie në Diasporë.
3. Shkolla shqipe, a gjykoni se luan rolin e qendrës komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?
Kurset shqip mund ta luajnë pjesërisht rolin e qendrës, promovimit apo lidhjes mes sa më shumë shqiptarëve. Kjo kushtëzohet nga shumë faktorë sipas mendimit tim. Hapësirat e zhvillimit të mësimdhënies, bazat vullnetare ose jo të mësuesve, natyra e organizmave formues e drejtues, struktura, democraciteti e kultura bazë e tyre e kështu me radhë.
4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe si formë e ruajtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në Irlandë?
Duke pare historikun e shkurtër të mësimit të gjuhës shqipe këtu nga ana jonë si Book Lovers, mendoj se është shpejt koha për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Megjithatë fakti që flitet e mësohet edhe jashtë shtëpie në një istitucion kulturor si Biblioteka, mendoj që tek fëmijet zgjohet idea dhe kurioziteti që nuk i përkasin vetëm identiteti irlandez si gjuhë e kulturë por edhe një tjetër vëndi me gjuhë e kulturë po ashtu europiane si Irlanda.
5. Si reagon shoqëria irlandeze, si pritet shkolla shqipe, si pritet mësimi shqip?
Reagimi nga ana istitucionale dhe shoqëria civile është mjaft pozitiv. Surprizohen, inkurajojnë dhe kërkojnë të ndihmojnë me sa munden në rast nevoje të çdo lloj natyre.
6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënie për fëmijët me dy gjuhësi dhe projektet e zhvillimit të shkollës shqipe?
Vështirësitë e dygjuhësisë dihen dhe kjo ndikon në shqiptimin e zanoreve e bashtingëlloreve të veçanta shqipe si Ë e Y apo DH, Ll, Xh, Zh etj. Megjithatë duke punuar me të folurit, theksin edhe me ushtrimet me shkrim, mund të themi që jemi optimistë me rezultatet e deritanishme. Projektet e zhvillimit të kursit shqip kanë të bëjnë me trajnimin e vazhdueshëm të vetë ne mësueseve ashtu si vitin e kaluar mësimor, përdorimin e teksteve të QBD për aq sa mund të na ndihmojnë dhe personalisht të ofroj një mësimdhënie emocionuese, kreative dhe argëtuese për fëmijët e “lodhur” të të shtunave mbasdite mbas një jave të gjatë ashtu si ne vetë e prindërit e tyre.
7. Mësimi shqip, çfarë efekti ka pasur te fëmijët shqiptarë në rritjen e patriotizmit?
Mendoj që flamuri, temat krahasuese të trajtuara në mësimdhënie, bukuria e folklorit, historisë së pavarësisë me filmin Nëntorii i dytë, patriotizmi i prindërve e mësueseve ka ndikuar sadopak tek ato.
8. Kush është mësuese Liljana Picari?
Shkolla e lartë – Istituti Lartë Bujqësor, Dega Zootekni, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Jeta në Diasporë: Emigrimi në Itali nga viti 1994 deri në janar 2018. Akitivizmi si vullnetare individuale 1998/2000 duke mundësuar hapjen e një kursi shqip “Laboratorio di lingua e cultura albanese” për fëmijët shqiptarë në Cervia (Ravenna). 17 prill 2000/shtator 2019 – krijoj dhe drejtoj Shoqatën “Integriamoci Insieme” në Cervia. Gjatë kohës së zhvillimit të kursit shqip për disa vite me radhë, krijohet edhe grupi artistik i valleve popullore me fëmijët frekuentues “Pranvera”.
Ne vitin 2005 zhvillohet Festivali i Parë i Kulturave në Ravenna ku mundësohet që grupit të fëmijëve t’i bashkangjitet një formacion orkestral me 5 elementë e krijohet Ansambli Artistik Folkloristik “Prengë Jakova”
Shoqata lind e punon për nevojat e Integrimit social të imigrantëve në përgjithësi e atyre shqiptarë në veçanti.
Relatore e organizatore në takime publike e aktivitete të ndryshme për promovimin e njohjen e Shqipërise historike e kulturore. Organizatore e pjesëmarrëse në Samitin e parë të Diasporës – Tiranë 2016.
Punësimi në Itali:
Punonjëse në sektorin turistik sezonal veror nga puna më e thjeshtë deri tek puna më e kualifikuar si “Assistente alla Direzione d’Albergo” (trajnim 1000-orësh në Itali). Ndërmjetëse kulturore e kualifikuar për fëmijët shqiptarë të porsa ardhur në shkolla si “Mediatrice linguistico-culturale albanese” (trajnim 500 orësh në Itali). Relatore ose “Testimone privilegiato” në projektin e komunës së Cervias (RA) për shkollat territoriale “Paesagi Interculturali”; shumë vite shkollore 1998-2017; duke folur për eksperiencën time të mërgimit dhe historinë e vendit nga vija – Shqipërisë; duke e ilustruar me video të realizuara nga Radio Televizioni Shqiptar në vitet e para mbas 1990s (kur nuk egzistonte interneti).
Irlanda nga 2018 në vijim:
Vij si studente e gjuhës anglese nga Italia për tre muaj e më pas vendos të qëndroj këtu. Aktualisht punoj si përkthyese “ Community Interpreter” Shqip & Italisht, në Mjekësi & Drejtësi. Diploma in Immigration and Asylum Seeker Law in Ireland – 2024. Graduate of Migrant Leadership Academy – 2024. Ndjek rregullisht aktivitetet e Istitutit italian të kulturës në Dublin (on-site). Ndjek online takime e trajnime të ndryshme mbi mësimin e gjuhës shqipe në Diasporë, ReI fundit për momentin “Shkolla verore për mësuesit e Diasporës” organizuar nga Universiteti i Elbasanit Aleksandër Xhuvani dhe UBT i Prishtinës, korrik 2026.
Ndjek e përditësohem me realitetin shqiptar social-kulturor-historik. Anëtare e “Albanian Book Lovers Culture Club London” nga viti 2022;
Pjesëtare aktive e komunitetit shqiptar në Dublin;
Anëtare themeluese e Shoqatës ACAI (Albanian Community Association Ireland),
Ideatore dhe bashkthemeluese ” Albanian Book Lovers Culture Club Dublin” Gusht 2025,
Mësuese vullnetare, kordinuese e zëdhënëse në istitucione e media për kursin shqip A.B.C Dublin dhe klubit letrar të mësipërm ” Albanian Book Lovers Culture Club Dublin”,
Ligjëruese mbi “Shqipen në Diasporë – Shqipja praktike” gjatë seminarit dy ditor on-line, të KKAD-së, 6-7 Dhjetor 2025,
Pjesëmarrëse në Samitin e IV të Diasporës, Tiranë, Prill 2026,
Në bashkëpunim me QDB po realizoj projektin “Biblioteka në Disporë” me libra për fëmijë dygjuhësh këtu në Dublin dhe kam nisur interesimin për prurjen e disa librave për të rritur nga Bibloteka kombëtare e Tiranës, këtu në Dublin (nismë e shprehur gjatë panelit të librit tek Samiti i Diasporës 2026 në Tiranë).
Disa nga Intervistat e dhëna deri tani – për Dritare TV gazetare Rudina Xhunga, RTK, RTSH, Revista Flasim Shqip e QBD me gazetare Anila Kadija, Open Podium Podcast Londër etj. Në Itali intervistatt mund të shikohen në Google….Gazeta Bota Shqiptare në Romë dikur me Keti Biçoku e Roland Sejko, Albania News me Olti Buzi, Alba Center me Albana Temali, gazetat lokale të Ravenës dhe Emilja Romanjas si rajon etj. /GD










