Montecilfone, Molise – Një udhëtim në historinë, gjuhën dhe traditat arbëreshe ishte ndalesa e radhës për të rinjtë shqiptarë që po zhvillojnë një program kulturor dhe edukativ në rajonin e Molises, në kuadër të projektit “Arbëria përmes syve të të rinjve shqiptarë”, të organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Në ditën e dytë të qëndrimit në Molise, të rinjtë e përzgjedhur nga QSPA vizituan Qendrën Kulturore Arbëreshe “Kamastra” në Montecilfone, ku u pritën nga drejtuesja e saj, znj. Fernanda Pugliese.
Gjatë takimit, Pugliese u prezantoi të rinjve historinë e vendosjes së arbëreshëve në Montecilfone dhe në zonat përreth, duke sjellë në vëmendje dëshmi dhe gjurmë të trashëgimisë së ruajtur ndër breza.
Përmes dokumenteve historike, botimeve të periudhës paramoderne, si edhe kostumeve tradicionale të ruajtura në ambientet e Qendrës, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin nga afër me aspekte të jetës, kulturës dhe traditave të komunitetit arbëresh të Molises.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe punës së Qendrës “Kamastra”, e cila prej rreth tri dekadash kontribuon në ruajtjen, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë arbëreshe. Gjatë bashkëbisedimit, të rinjtë u njohën me përpjekjet për përcjelljen e gjuhës, folklorit dhe traditave te brezat e rinj, si dhe me materialet dhe mënyrat e përdorura për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi.
Vizita u shndërrua kështu jo vetëm në një përvojë njohëse, por edhe në një mundësi për dialog të drejtpërdrejtë mes të rinjve shqiptarë dhe përfaqësuesve të komunitetit arbëresh. Përmes historive, dokumenteve dhe objekteve të trashëgimisë, të rinjtë mundën të preknin nga afër një pjesë të historisë së shqiptarëve të shpërngulur në Itali dhe të mënyrës se si identiteti i tyre është ruajtur ndër shekuj.
Në përfundim të vizitës, pjesëmarrësit lanë përshtypjet e tyre në librin e vizitorëve të Qendrës “Kamastra”, duke lënë pas edhe një dëshmi personale të kësaj përvoje. Vizita në Montecilfone përbën një nga ndalesat e para të programit “Arbëria përmes syve të të rinjve shqiptarë” në Molise, përmes të cilit të rinjtë shqiptarë njihen nga afër me komunitetet arbëreshe, trashëgiminë e tyre kulturore dhe përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës, zakoneve dhe identitetit, njofton Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), transmeton helveticALforum.ch.










