Cyrih, 08 shtator, 2026 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, mori pjesë sonte në një aktivitet të rëndësishëm ekonomik dhe diplomatik të organizuar nga Agjencia Italiane për Tregtinë (ICE) dhe FDI Desk Switzerland, me temën “Itali–Zvicër: Një platformë strategjike për Evropën Jugore – Investimi në Itali në kohë të pasigurisë gjeopolitike”.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve diplomatike, ekonomike dhe të sektorit privat, duke krijuar një platformë për diskutim mbi mundësitë e investimeve, diplomacinë ekonomike dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane. Në kuadër të këtij aktiviteti, Vigan Berisha pati mundësinë të njihej nga afër me përvojën dhe qasjen italiane në fushën e diplomacisë ekonomike, promovimit të investimeve dhe bashkëpunimit institucional. Një pjesë e rëndësishme e pjesëmarrjes së tij ishte edhe bashkëbisedimi me Konsullin e Përgjithshëm të Italisë në Cyrih, z. Mario Baldi, si dhe me përfaqësues të institucioneve dhe sektorit ekonomik.

Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Kosovës në një forum të tillë vlerësohet si një mundësi për të krijuar kontakte të reja dhe për të shkëmbyer përvoja mbi mënyrat se si diplomacia mund të shërbejë si urë lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit.
Në një kohë kur pasiguria gjeopolitike po ndikon gjithnjë e më shumë në vendimmarrjen ekonomike dhe në orientimin e investimeve, diskutime të tilla marrin rëndësi të veçantë për forcimin e partneriteteve dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në Evropë.
Pjesëmarrja e Vigan Berishës në këtë aktivitet dëshmon gjithashtu rëndësinë që i kushtohet diplomacisë ekonomike dhe ndërtimit të marrëdhënieve institucionale me partnerët evropianë, në funksion të promovimit të interesave dhe mundësive të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës, transmeton helveticALforum.ch.










