Romë, 8 shtator 2026 – Sot është realizuar fluturimi i parë i linjës së re ajrore direkte ndërmjet Romës dhe Prishtinës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Linja e re ajrore pritet të lehtësojë udhëtimin e qytetarëve nga të dyja vendet, duke krijuar mundësi të reja për lëvizje, turizëm, bashkëpunim ekonomik dhe kontakte më të afërta mes Kosovës dhe Italisë.
Për këtë zhvillim ka njoftuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, e cila ka ftuar qytetarët dhe miqtë italianë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të re për ta vizituar Kosovën dhe për ta njohur nga afër vendin, kulturën, traditat dhe potencialet e saj.
“Romë – Prishtinë, tani edhe më afër”, është mesazhi i Ambasadës së Kosovës në Romë me rastin e inaugurimit të kësaj linje të re direkte.
Fluturimi i parë, i realizuar më 8 shtator 2026, shihet si një mundësi për të afruar edhe më shumë dy vendet dhe për të forcuar lidhjet mes qytetarëve të Kosovës dhe Italisë. Me këtë lidhje të re ajrore, Prishtina dhe Roma bëhen më të qasshme për udhëtarët, ndërsa Kosova hap një tjetër derë për vizitorët italianë që dëshirojnë ta zbulojnë vendin dhe ta përjetojnë nga afër mikpritjen kosovare, transmeton Ambasada e Kosovës në Itali, përcjell helveticALforum.ch.










