(Analizë e detajuar e hartës së Nicolas de Fer (Paris, 1705).
Nga Prof.dr. Pal NIKOLLI
Harta historike e vitit 1705, e punuar nga hartografi i shquar i oborrit mbretëror francez Nicolas de Fer, përbën një dokument me rëndësi të jashtëzakonshme dokumentuese dhe gjeopolitike. Ajo ofron një dëshmi të patjetërsueshme mbi shtrirjen territoriale, vazhdimësinë etno-kulturore dhe perceptimin gjeografik të trojeve shqiptare në periudhën e sundimit osman.
1. Identifikimi, kontekstualizimi dhe origjina e dokumentit
Kjo vepër hartografike mban titullin origjinal francez “Grece moderne ou partie meridionale de la Turquie en Europe” (Greqia moderne ose pjesa jugore e Turqisë në Evropë), e botuar në Paris në vitin 1705. Ndonëse titulli makro – rajonal i referohet gjerësisht Ballkanit Jugor nën Perandorinë Osmane, brendësia e hartës demonstron një ndarje precize administrative, gjeografike dhe etnike, duke e diferencuar qartë hapësirën arbnore/shqiptare nga rajonet e tjera fqinje.
2. Koncepti i “Shqipërisë së Epërme” dhe “Shqipërisë së Poshtme”
Elementi më përcaktues i këtij dokumenti është trajtimi i hapësirës gjeografike shqiptare si një tërësi kompakte territoriale e ndarë në dy rajone kryesore:
– Haute Albanie (Shqipëria e Epërme): Përfshin rajonet e Shqipërisë Veriore dhe Qendrore, duke u shtrirë nga malësitë e veriut deri në brendësi të territorit, ku përfshihen qendra historike si Shkodra e Durrësi.
– Epire ou Basse Albanie (Epiri ose Shqipëria e Poshtme): Ky përbën edhe boshtin më të rëndësishëm historik të hartës. Nicolas de Fer vendos një barazi të plotë sinonimike ndërmjet toponimit antik gjeografik “Epir” dhe emërtimit etno-gjeografik “Shqipëri e Poshtme”. Kjo provon se në hartografinë shkencore perëndimore të shekullit XVIII, Epiri identifikohej plotësisht si pjesë përbërëse e trojeve banuese shqiptare.
“Në kartografinë evropiane të vitit 1705, termi antik ‘Epir’ nuk ishte konceptuar si hapësirë e huaj, por si sinonim i drejtpërdrejtë i Shqipërisë së Poshtme.”
3. Shtrirja gjeografike dhe Toponimia Jugore
Sipas të dhënave vizuale të hartës, “Shqipëria e Poshtme” shtrihej thellë drejt jugut të gadishullit, duke përfshirë rajonet e Janinës, Çamërisë dhe duke mbërritur deri në Prevezë, e pozicionuar në hyrje të Gjirit të Artës. Harta fikson kufijtë natyrorë e kulturorë në lindje me Maqedoninë (Macedoine) dhe Tesalinë (Thessalie), si dhe përballësi gjeografike me ishullin e Korfuzit (Corfou), duke përcaktuar me saktësi hapësirën etno-gjeografike shqiptare.
4. Rëndësia historike, politike dhe shkencore
Rëndësia e kësaj harte qëndron në faktin se ajo është konceptuar dhe vizatuar dekada përpara lindjes së doktrinave nacionale apo grindjeve territoriale ballkanike të shekullit XIX. Si e tillë, ajo përfaqëson një burim primar me objektivitet të lartë shkencor, i cili konfirmon praninë dhe vazhdimësinë etnike shqiptare në Epir dhe hedh dritë mbi njohuritë e sakta që diplomacia dhe shkenca evropiane zotëronin për gjeografinë humane të Shqipërisë që tre shekuj më parë. /GD










