BallinaEKSKLUZIVEMbi çdo dallim, qëndron ajo që na bashkon

Mbi çdo dallim, qëndron ajo që na bashkon

-

Nga Dashnim HEBIBI

Dy fjalë;

Në një kohë kur zhurma është bërë më e madhe se fjala, kur dallimet shpesh na paraqiten si mure dhe kur debatet e përditshme rrezikojnë të na bëjnë të harrojmë atë që na bashkon e shpesh për pak klikime edhe po përçahemi. Në sofrat tona mund të ndryshojnë ritet, por buka ndahet njësoj. Në lutjet tona mund të ndryshojnë fjalët, por besimi në të mirën është i përbashkët. Në festat tona mund të ndryshojnë zakonet, por dera shqiptare ka qenë dhe mbetet e hapur për mikun, për vëllanë dhe për këdo që vjen me respekt. Sepse mbi çdo dallim qëndron ajo që na bashkon: gjuha, historia, kultura, traditat dhe dashuria për atdheun. Shqiptarët kanë kaluar shekuj të vështirë. Kanë përjetuar pushtime, ndarje, padrejtësi dhe përpjekje për t’ua zbehur identitetin. Por, pavarësisht gjithçkaje, gjuha u ruajt, zakonet u trashëguan dhe kujtesa kombëtare mbijetoi. Ajo që na u dha brez pas brezi, sot është përgjegjësia jonë për t’ua përcjellë brezave që do të vijnë. Nuk ka kandar që të masë kush është më shqiptar, më besimtar apo më patriot. Nuk matemi me fjalët që themi, por me veprat që bëjmë. Puna jonë, respekti për tjetrin, dashuria për gjuhën, familjen dhe atdheun tregojnë se sa shqiptarë jemi, sa besimtarë jemi dhe sa patriotë jemi. Në fund, nuk janë fjalët që na japin vlerë, por ajo që lëmë pas me veprat tona.

Nuk ka rëndësi nga cila trevë shqiptare vjen. Nuk ka rëndësi nëse je nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Çamëria apo nga diaspora. Nuk ka rëndësi cilit besim i përket apo cilën bindje politike mbështet, ajo janë personale. Këto janë dallime që ekzistojnë brenda një shoqërie, por nuk duhet të kthehen në arsye për të harruar identitetin që na bashkon. Të jesh shqiptar nuk matet me zhurmën që bëjmë, me flamurin që mbajmë në duar apo me fjalët e mëdha që themi. Matet me atë që bëjmë për gjuhën, për familjen, për vendin dhe për brezat që vijnë. Atdheu nuk kërkon që të gjithë të mendojmë njësoj. Kërkon të dimë të respektojmë njëri-tjetrin. Të dimë të gëzojmë për festën e tjetrit sikur të ishte festa jonë. Të qëndrojmë bashkë në ditët e vështira. Të mos e lëmë askënd vetëm vetëm pse mendon ndryshe.

Dhe mbi të gjitha, të mos e harrojmë gjuhën shqipe.

Sepse një komb mund të humbasë shumëçka dhe përsëri të ringrihet, por nëse humb gjuhën, rrezikon të humbasë një pjesë të vetvetes. Prandaj, detyra jonë nuk është vetëm ta flasim shqipen, por ta duam, ta mësojmë, ta shkruajmë dhe t’ua mësojmë fëmijëve tanë. Le të mos lejojmë që zhurma e përditshme të na largojë nga realiteti. Le të mos na ndajë politika, feja, krahina apo mendimet e ndryshme. Mund të kemi debate, mund të kemi kundërshti, mund të ecim në rrugë të ndryshme, por duhet të dimë se kemi një histori dhe një gjuhë që na lidh. Jo përçarje ! Na duhet uniteteti !

Ne kemi mbijetuar pushtues pas pushtuesi. Kemi ruajtur gjuhën. Kemi ruajtur traditat. Dhe nëse dimë t’i duam e t’i përcjellim, do t’i ruajmë edhe për brezat që vijnë.

Sepse në fund, ajo që mbetet nuk është zhurma e ditës. Mbetet ajo që u kemi lënë fëmijëve tanë.

Të mos u lëmë vetëm zhurmën. T’u lëmë gjuhën, kulturën, traditat, dashurinë për njëri-tjetrin dhe krenarinë për të qenë shqiptarë.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kur arkivat flasin, historia nuk mund të heshtë – Prof. Dr....

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Prof. Dr. Shkodran C. Imeraj, pas një viti hulumtim të pandërprerë, sjell një botim të veçantë mbi riatdhesimin e eshtrave të ushtarëve...