BallinaEKSKLUZIVEAmbasadori Rexhep Demiri: “Fëmijët tanë janë ardhmëria jonë – ta ruajmë gjuhën,...

Ambasadori Rexhep Demiri: “Fëmijët tanë janë ardhmëria jonë – ta ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin”

Urim për fillimin e vitit të ri shkollor

Nga Shkëlqesia e Tij, Rexhep Demiri, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Zvicerane

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, nga zemra u drejtoj urimet më të përzemërta të gjithë fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë, si dhe të gjithë fëmijëve që sot u rikthyen në bankat shkollore në Zvicër.

Pas pushimeve verore, për shumicën e bashkatdhetarëve tanë nis një tjetër vit pune, angazhimi dhe përkushtimi. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në punën tuaj të përditshme, ndërsa fëmijëve tanë – ardhmërisë së kombit – u dëshiroj shumë suksese në rrugën e dijes. Uroj që një ditë t’i shohim në universitetet më të mira, në profesione të rëndësishme dhe duke kontribuar me dije e përkushtim për familjet, shoqërinë dhe vendlindjen.

Një urim të veçantë ia drejtoj LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, me dëshirën dhe besimin se gjatë këtij viti shkollor do të ketë edhe më shumë nxënës shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

I ftoj të gjithë prindërit shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe. Aty ata jo vetëm që mësojnë gjuhën amtare, por njihen edhe me historinë, kulturën, traditat dhe vlerat tona kombëtare. Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgatë është një përgjegjësi e përbashkët dhe një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve tanë.

LAPSH “Naim Frashëri”, me punën e saj shumëvjeçare, ka dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në Zvicër. Edhe përkundër sfidave dhe mundësive jo gjithmonë të mjaftueshme, mësuesit, prindërit dhe aktivistët e saj nuk janë dorëzuar. Për këtë përkushtim meritojnë mirënjohje dhe respekt të veçantë.

Uroj shëndet, forcë dhe suksese të gjithë mësuesve shqiptarë dhe të gjithë atyre që me punën e tyre kontribuojnë që gjuha shqipe të mbetet e gjallë në familjet dhe komunitetin tonë.

Një falënderim i veçantë shkon edhe për shtetin zviceran, i cili ka krijuar mundësi që fëmijët me prejardhje shqiptare ta mësojnë gjuhën e tyre amtare në kuadër të shkollimit plotësues në Zvicër. Ky është një shembull i rëndësishëm i respektit për shumëgjuhësinë, kulturën dhe identitetin e komuniteteve që jetojnë e kontribuojnë në këtë vend.

Bashkatdhetarë të dashur, ju uroj një vit të mbarë shkollor dhe një vit të suksesshëm pune. Mërgimi kërkon sakrificë, por në rrugën tonë të jetës nuk duhet ta harrojmë kurrë vendin nga kemi ardhur. Krahas punës dhe jetës në Zvicër, le të vazhdojmë të kontribuojmë edhe për vendlindjet tona, veçanërisht për të rinjtë dhe për krijimin e mundësive të reja, në një kohë kur papunësia mbetet një nga sfidat më të mëdha.

Fëmijëve tanë u themi: mësoni, punoni dhe besoni në veten tuaj. Gjuha, dija dhe kultura janë ura që ju lidhin me rrënjët tuaja dhe ju ndihmojnë të ndërtoni të ardhmen.

Suksese në vitin e ri shkollor! Shëndet, mbarësi dhe shumë arritje për të gjithë fëmijët, prindërit, mësuesit dhe bashkatdhetarët tanë në Zvicër.

Rexhep Demiri
Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Zvicerane

( Enkas për helveticALforum.ch )

- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Dita e parë e shkollës, një fillim i ri edhe për...

0
Nga Dashnim HEBIBI Bülach – Sot, në të gjithë Zvicrën, pas pushimeve verore, ka nisur një vit i ri shkollor. Për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë,...