
Nga Dashnim HEBIBI
HelveticALforum.ch – HALF24 po rikthehet.
Pas një periudhe freskimi, riorganizimi dhe përgatitjesh të reja, HelveticALforum.ch, tashmë me shkurtesën HALF24.ch, po rikthehet para lexuesve me një koncept të rifreskuar, me disa ndryshime dhe me synimin që qasja në informacion të jetë edhe më e lehtë, më e shpejtë dhe më funksionale, veçanërisht për bashkatdhetarët tanë në mërgatë. Gjatë kësaj periudhe, kemi marrë shumë telefonata, mesazhe dhe e-maile nga lexuesit tanë, të cilët kanë pyetur pse ishte ndalur kjo dritare informimi. Kjo na bëri të kuptojmë edhe një herë se një media që ndërtohet mbi besimin e lexuesit nuk mund të matet vetëm me klikime, shikueshmëri apo përfitime materiale.
E kuptuam edhe një herë se fjala e vërtetë ka peshë dhe se gazetaria e përgjegjshme çmohet.
HALF24.ch nuk rikthehet për të pasqyruar gjithçka që ndodh. Jo çdo gjë duhet të jetë lajm, jo çdo zë duhet të bëhet titull dhe jo çdo ngjarje duhet të shndërrohet në spektakël mediatik. Ne besojmë se fjala publike ka peshë dhe se çdo informacion që publikohet duhet të ketë arsye, vlerë dhe përgjegjësi shoqërore. Një media profesionale duhet të jetë e saktë, e paanshme, e përgjegjshme dhe e pavarur. Duhet ta verifikojë informacionin para publikimit, të dallojë faktin nga opinioni, të respektojë dinjitetin e individit dhe të mos e sakrifikojë të vërtetën për një klikim më shumë. Media nuk duhet të ushqejë zhurmën, por të ndihmojë në krijimin e një debati të shëndoshë publik. Besueshmëria ndërtohet ngadalë, por mund të humbet me një publikim të pamatur. Pikërisht këtë filozofi dëshirojmë ta ruajmë edhe në HALF24: më pak zhurmë, më shumë përmbajtje; më pak sensacionalizëm, më shumë profesionalizëm; më pak interes personal, më shumë përgjegjësi publike. Stafi ynë punon në mënyrë vullnetare, me përkushtim dhe mbi bazën e bindjes se informimi i saktë është një shërbim ndaj komunitetit. Ne duam të jemi pranë jush, të dashur bashkatdhetarë, kudo që jetoni e veproni.

Në periudhën e re do të ketë edhe risi, rubrika të reja dhe forma më të përshtatshme komunikimi, me synimin që HALF24 të jetë edhe më afër lexuesit dhe nevojave reale të mërgatës shqiptare.
Për ta mbajtur gjallë këtë dritare informimi dhe për të përballuar shpenzimet bazë të funksionimit, mirëpresim edhe mbështetjen e ndonjë shpirtbardhi afarist apo bashkatdhetari që beson në rëndësinë e një mediumi profesional, të pavarur dhe të dobishëm për komunitetin. Mbështetja juaj nuk është vetëm ndihmë financiare; është kontribut për të ruajtur një hapësirë ku fjala e lirë, informimi i saktë dhe zëri i mërgatës mund të dëgjohen. Një falënderim i veçantë shkon për Berat Thaçin, editor i Shtëpisë Botuese “Libri Im” në Pejë, i cili gjatë kësaj periudhe e ka mirëmbajtur dhe ruajtur këtë platformë me shumë dashamirësi dhe pa asnjë interes material. Përkushtimi i tij është një dëshmi se projektet me vlerë mund të mbahen gjallë edhe përmes mirëbesimit dhe vullnetit të mirë.
Të nderuar bashkatdhetarë,
Shpresojmë që rikthimi i HALF24 të jetë një lajm i mirë për ju dhe se ndryshimet e reja do t’ju pëlqejnë. Dera jonë mbetet e hapur për bashkëpunim, për ide, për kritikë konstruktive dhe për çdo kontribut që e pasuron jetën publike të mërgatës sonë. Ne nuk premtojmë se do të jemi mediumi që do të publikojë gjithçka. Premtojmë diçka më të rëndësishme: do të përpiqemi të publikojmë atë që është e rëndësishme, e verifikuar dhe me interes për ju. Sepse një media nuk bëhet profesionale vetëm duke pasur një faqe, një logo apo shumë klikime. Media bëhet profesionale kur e kupton përgjegjësinë që ka ndaj lexuesit.

Na priftë e mbara në këtë rrugëtim të ri!
Me punë të pastër, me fjalë të matur, me informacion të saktë dhe me respekt për lexuesin.
HALF24 – një dritare e mërgatës, me mërgatën dhe për mërgatën.










