Edicioni i vitit 2027 i Festivalit Evropian të Këngës, Eurovision, do të zhvillohet në qytetin bregdetar të Burgasit në Bullgari, nga data 12 deri më 15 maj. Njoftimi zyrtar u bë të enjten nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) në bashkëpunim me Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT).
Ky zhvillim vjen pas fitores historike të këngëtares bullgare Dara me këngën e saj ritmike “Bangaranga” gjatë edicionit të këtij viti në Vjenë të Austrisë – duke i siguruar Bullgarisë trofeun e saj të parë në historinë e konkursit.
Skena e garës, ku do të zhvillohen provat, dy gjysmëfinalet dhe finalja e madhe, do të ngrihet në kompleksin më të ri sportiv dhe të argëtimit në vend, “Arena Burgas”, i cili hapësirat e veta i përuroi në vitin 2023.
“Burgasi është një qytet i gjallë dhe mikpritës në Detin e Zi me një identitet të fortë muzikor dhe kulturor, dhe ka ambicien, infrastrukturën dhe pasionin e nevojshëm për të mirëpritur familjen e Eurovisionit. Ne duam të krijojmë diçka që të ndihet vërtet bullgare, por njëkohësisht të jetë padyshim Eurovision,” deklaroi Drejtori i Festivalit, Martin Green.
Pse Burgasi dhe jo Sofja?
Përzgjedhja e Burgasit solli një dozë surprize te ndjekësit e festivalit, pasi menjëhetë pas fitores në maj, si drejtoresha e BNT-së, Milena Miltenova, ashtu edhe vetë këngëtarja Dara, kishin shprehur entuziazmin për ta organizuar ngjarjen në kryeqytetin bullgar, Sofje.
“Jam shumë e lumtur që do të vini në Sofje vitin tjetër. Jam e lumtur që Eurovision do të jetë në shtëpinë time,” u shpreh ajo kohë më parë.
Megjithatë, EBU sqaroi se vendimi u mor pas një procesi të fortë konkurrues mes katër qyteteve (Sofje, Burgas, Varna dhe Plovdiv). Qyteti i dytë më i madh bregdetar i Bullgarisë triumfoi falë kapaciteteve teknike, infrastrukturës hoteliere, transportit dhe lidhjeve ndërkombëtare.
Përgjatë viteve të fundit, pritja e këtij kompeticioni ka sjellë përfitime të mëdha ekonomike për qytetet mikpritëse: Liverpooli pësoi një rritje prej 66 milionë eurosh në vitin 2023, Malmö rreth 40 milionë euro në vitin 2024, ndërsa Bazeli gjeneroi rreth 58 milionë euro gjatë edicionit të vitit 2025.
Ndryshimi i rregullores, konfliktet ushtarake heqin të drejtën e organizimit
Paralelisht me vendimin për qytetin pritës, drejtuesit e Eurovisionit miratuan një ndryshim thelbësor në rregulloren e garës. Sipas amendamentit të ri, nëse një shtet i përfshirë në një konflikt të armatosur apo në një situatë të ndjeshme gjeopolitike fiton konkursin, ai nuk do të lejohet ta organizojë atë vitin pasardhës për arsye të sigurisë dhe stabilitetit.
Kjo masë erdhi si reagim ndaj debateve të ashpra lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision 2026 në Vjenë, ku përfaqësuesi izraelit Noam Bettan zuri vendin e dytë me këngën “Michelle”, mes protestave dhe bojkotit të disa transmetuesve publikë evropianë si Spanja dhe Irlanda.
Ndryshimi i rregullave do të ketë efekt edhe për vende të tjera si Ukraina, e cila pas fitores së Kalush Orchestra në vitin 2022 nuk mundi ta organizonte garën në Kiev për shkak të luftës me Rusinë, duke bërë që ngjarja të transferohej në Mbretërinë e Bashkuar, transmeton rtsh.










