Ndeshja zhvillohet në stadiumin e Bostonit, në Foxborough të Massachusettsit, me fillim nga ora 22:00.
Kampionët e botës të vitit 2018 dhe finalistët e Botërorit 2022, francezët, kanë qenë një nga ekipet më bindëse të turneut deri tani. “Gjelat” kanë fituar të pesë ndeshjet e zhvilluara, duke shënuar 14 gola dhe duke pranuar vetëm dy.
Sulmi i Francës udhëhiqet nga Kylian Mbappe, që deri më tash në këtë Botëror ka shënuar shtatë gola, ndërsa në repartin ofensiv spikasin edhe Ousmane Dembele, Michael Olise dhe Bradley Barcola.
Por përballë tyre do të jetë një Marok që tashmë nuk konsiderohet më befasi, por një kandidat serioz për trofeun. “Luanët e Atlasit” kanë bërë histori në Botërorin 2022 duke u bërë kombëtarja e parë afrikane dhe arabe që arriti në gjysmëfinale, ndërsa këtë edicion synojnë ta përsërisin suksesin.
Maroku, fitues i Kupës së Afrikës 2025 dhe me një seri prej 34 ndeshjesh pa humbje, vjen pas një rrugëtimi të fortë në këtë turne. Në fazën e eliminimit direkt eliminoi Holandën pas penalltive, ndërsa në 1/8 e finales mposhti Kanadanë 3:0.
Megjithatë, Maroku do të ketë një mungesë të rëndësishme. Sulmuesi Ismael Saibari, një nga lojtarët më të dalluar të turneut me tre gola, nuk do të mund të luajë për shkak të një lëndimi në muskuj.
Edhe Franca ka një dilemë në formacion, pasi mesfushori Aurélien Tchouaméni është në dyshim për shkak të një lëndimi.
Në përballjet direkte, Franca ka avantazh ndaj Marokut. Nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara mes tyre, francezët kanë fituar katër, ndërsa dy kanë përfunduar baras. Dueli i fundit ishte në gjysmëfinalen e Botërorit 2022, kur Franca fitoi 2:0.
Franca shihet favorite për kalimin tutje, por Maroku ka treguar se është i aftë të befasojë edhe kundër skuadrave më të mëdha. Fituesi i këtij dueli do të përballet në gjysmëfinale me fituesin e ndeshjes Spanjë – Belgjikë, transmeton rtk.




