Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke e cilësuar SHBA-në si një shtet që ka ndikuar thellësisht në historinë e lirisë dhe të vetëvendosjes së popujve.
Kurti, në një pstim në Facebook, ka theksuar rëndësinë historike të Deklaratës së Pavarësisë së 4 korrikut 1776, duke e cilësuar atë si dokument themelor të vlerave universale.
“Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme: se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë; se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me disa të drejta të patjetërsueshme; se ndër këto të drejta janë jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”, ka cituar ai nga Deklarata.
Ai ka kujtuar gjithashtu lidhjet historike mes shqiptarëve dhe SHBA-së, duke përmendur takimin e Fan Nolit me Presidentin Woodrow Wilson në vitin 1918 dhe rolin e SHBA-së në mbrojtjen e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, përmes parimeve të “14 pikave të Wilsonit”.
Sipas Kurtit, këto vlera janë reflektuar edhe në mbështetjen amerikane për Kosovën. Ai ka përmendur deklaratën e Presidentit George W. Bush në Tiranë në vitin 2007, kur kishte thënë se “më mirë më parë sesa më vonë, duhet të thuash këtu i erdhi fundi, Kosova është e pavarur”
Kurti ka theksuar se Deklarata e Pavarësisë mbetet një dokument me ndikim të vazhdueshëm në mendimin politik botëror, duke shtuar se koncepti i të drejtave të patjetërsueshm, vazhdon të mbetet radikal sot e kësaj dite.
Në fund të urimit të tij, Kurti ka shprehur mirënjohjen për SHBA-në dhe ka uruar 4 Korrikun, përvjetorin e 250-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton rtk.




