
Përgatiti Dashnim HEBIBI
New York, 01 korrik 2026 – Revista themeltare e Ansamblit Shqiptar “Trojet” me seli në Winterthur të Zvicrës, e botuar vetëm pak ditë më parë, tashmë është pjesë e bibliotekës dhe arkivit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York. Gjatë vizitës së delegacionit të Ansamblit “Trojet” në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës, kryetari i ansamblit ia dorëzoi revistën zv.shefit të Misionit Konsullor, Besim Berisha, si shenjë respekti dhe bashkëpunimi institucional. Ky numër i parë i revistës është një botim special, i përgatitur edhe në prag të pjesëmarrjes së ansamblit në Festivalin e Lahutës, që mbahet më 2 korrik në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Ansamblit “Trojet” u prit në një atmosferë të ngrohtë nga zv.shefi i Misionit Konsullor, Besim Berisha, së bashku me stafin e Konsullatës, si dhe nga veprimtari i njohur i komunitetit shqiptar në SHBA, Mark Qehajaj, përfaqësues i Shoqatës “Skënderbeu”. Gjatë bashkëbisedimit, Besim Berisha prezantoi punën dhe misionin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, duke theksuar angazhimin e saj në shërbim të bashkatdhetarëve dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar në diasporë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ansamblit “Trojet” prezantuan rrugëtimin e tyre shumëvjeçar në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, këngëve, valleve, historisë dhe traditave shqiptare te brezat e rinj në diasporë. Ata folën edhe për projektin më të ri – revistën themeltare të ansamblit, e cila dokumenton historinë, aktivitetet dhe misionin kulturor të “Trojeve”.

Dorëzimi i revistës në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York ka një simbolikë të veçantë, pasi ky botim do të mbetet pjesë e institucionit shtetëror të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, si dëshmi e punës së palodhshme dhe kontributit të Ansamblit “Trojet” në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë.
Një moment i veçantë i vizitës ishte interpretimi me lahutë nga lahutari i ansamblit, Baca Shaqë. Tingujt e instrumentit tradicional shqiptar jehuan në ambientet e Konsullatës, duke krijuar emocione të veçanta dhe duke sjellë një copëz të trashëgimisë sonë kulturore në zemër të New Yorkut. Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Ansamblit “Trojet” në aktivitetet kulturore në Shtetet e Bashkuara është realizuar tërësisht me mjete vetanake. Kryesia e ansamblit, prindërit e fëmijëve, si dhe disa miq afaristë kanë mbuluar të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe organizimit, pa asnjë mbështetje financiare nga institucionet. Ky angazhim dëshmon përkushtimin dhe vullnetin e tyre për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare, pavarësisht sfidave financiare.

Kjo nuk është hera e parë që Ansambli “Trojet” vepron në këtë mënyrë. Edhe më parë është theksuar se aktivitetet ndërkombëtare të ansamblit janë mbështetur kryesisht nga kontributet e anëtarëve, prindërve dhe donatorëve të komunitetit, duke e bërë edhe më të vlefshëm çdo sukses të arritur. Përfaqësuesit e ansamblit shprehën mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësimin që u bëri Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në New York, duke theksuar se misioni i “Trojeve” do të vazhdojë të jetë ndërtimi i urave ndërmjet diasporës dhe atdheut, si dhe ruajtja e identitetit kombëtar shqiptar përmes artit dhe kulturës.
Fakti që revista themeltare e Ansamblit “Trojet” tashmë zë vend në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York përbën një vlerësim të rëndësishëm për punën shumëvjeçare të ansamblit dhe një dëshmi se kontributi vullnetar në shërbim të kulturës kombëtare mbetet një pasuri që i shërben brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.




