New York, 30 qershor 2026 – Gjatë qëndrimit tonë në New York, në kuadër të misionit kulturor të Ansamblit “TROJET”, patëm nderin të vizitojmë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës. Me shumë përzemërsi u pritëm nga zv. Shefi i Misionit të Konsullatës, z. Besim Berisha, së bashku me stafin konsullor, si dhe nga veprimtari i shquar i komunitetit shqiptar, z. Mark Qehajaj, përfaqësues i Shoqatës “Skënderbeu”.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe plot respekt. Gjatë bashkëbisedimit, zv. Shefi i Misionit të Konsullatës, Besim Berisha na njohu nga afër me misionin dhe veprimtarinë e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, me shërbimet që ajo ofron për bashkatdhetarët tanë dhe me përkushtimin e saj për të qenë gjithmonë pranë komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nga ana jonë, patëm kënaqësinë të prezantojmë rrugëtimin e Ansamblit “TROJET”, punën tonë artistike dhe edukative gjatë këtyre viteve, si dhe misionin që kemi marrë përsipër për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, këngës, valleve, historisë, traditave dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj shqiptarë në diasporë.

Fjalët vlerësuese dhe inkurajuese të zv. Shefi i Misionit të Konsullatës, Besim Berisha për punën e Ansamblit “TROJET” ishin një nder i veçantë dhe një motivim i madh për të vazhduar këtë rrugëtim me edhe më shumë përkushtim.
Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, në emër të Ansamblit “TROJET”, i dhuruam Konsullatës revistën e parë të ansamblit, një botim që pasqyron historinë, punën dhe misionin tonë kulturor. Për ne, kjo revistë është dëshmi e mijëra orëve punë vullnetare dhe e dashurisë për kulturën shqiptare.

Një nga momentet më prekëse të vizitës ishte interpretimi me lahutë nga lahutari Shaqir Demaj i Ansamblit “TROJET”. Tingujt e lahutës jehuan brenda Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York, duke krijuar një atmosferë të veçantë. Për disa çaste, sikur historia, tradita dhe atdhedashuria u bashkuan në një vend. Ishte një emocion që do të mbetet gjatë në kujtesën tonë dhe të stafit konsullor.
Për ne, kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë. New Yorku dhe mbarë diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Breza të tërë veprimtarësh, patriotësh dhe luftëtarësh të fjalës e të veprës punuan pa u lodhur që zëri i Kosovës të dëgjohej në botë. Prandaj, të vizitosh sot institucionin e Republikës së Kosovës në këtë qytet është një emocion që nuk përshkruhet lehtë me fjalë.

Me këtë rast, mësuam se Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara, z. Blerim Reka, ndodhej në pushim zyrtar, prandaj nuk patëm mundësinë ta takonim. Megjithatë, shpresojmë që në një vizitë të ardhshme të kemi kënaqësinë ta takojmë dhe ta prezantojmë nga afër misionin kulturor të Ansamblit “TROJET”.
Falënderojmë nga zemra zv. Shefi i Misionit të Konsullatës, Besim Berisha, stafin e Konsullatës dhe z. Mark Qehajaj për mikpritjen, respektin, bashkëbisedimin e sinqertë dhe kohën që ndanë me ne.

Ansambli “TROJET” do të vazhdojë të ndërtojë ura që lidhin diasporën me atdheun, brezat e rinj me rrënjët e tyre dhe kulturën shqiptare me botën. Ky është misioni ynë, krenaria jonë dhe përgjegjësia që mbajmë me zemër, kudo ku na çon rruga dhe kudo ku valëvitet flamuri shqiptar, transmeton komisioni për inforim i Ansamblit “Trojet”, përcjell helveticALForum.ch.




