POSTIMET E FUNDIT

Urim i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Cyrih të Zvicrës për rizgjedhjen e Dr. Elmi Berishës në krye të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”

Cyrih, 30 qershor 2026 – Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore, me seli në Cyrih të Zvicrës, i shpreh urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta atdhetarit, intelektualit dhe veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare, Dr. Elmi Berisha, me rastin e rizgjedhjes së tij Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” në New York. Rizgjedhja juaj në krye të organizatës më të vjetër dhe më të rëndësishme të shqiptarëve në diasporë është një vlerësim i merituar për punën, përkushtimin dhe vizionin tuaj në shërbim të kombit shqiptar. Jemi të bindur se edhe gjatë mandatit të ri do të vazhdoni të forconi misionin historik të Vatrës, duke mbrojtur interesat kombëtare, ruajtur identitetin shqiptar dhe bashkuar shqiptarët kudo që jetojnë.

Instituti ynë vlerëson lart bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që Dr. Elmi Berisha i ka dhënë komunitetit shqiptar edhe në Evropë, si dhe angazhimin e tij për afrimin dhe bashkërendimin e diasporës shqiptare në të gjitha trevat. Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, PhD Dashnim Hebibi, duke kujtuar disa takime me Dr. Berishën në New York, thekson se ka njohur nga afër personalitetin e tij, kulturën, vizionin dhe përkushtimin e tij të palëkundur ndaj çështjes kombëtare. Ai shprehet me bindje se vatranët kanë zgjedhur njeriun e duhur për ta udhëhequr Federatën “Vatra”, sepse Dr. Elmi Berisha gëzon autoritet moral, integritet intelektual dhe një histori të pasur veprimtarie patriotike në shërbim të shqiptarëve. Në emër të Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore, i urojmë Dr. Elmi Berishës shëndet, suksese dhe mbarësi në përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm. Urojmë që nën drejtimin e tij, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një urë e fortë bashkëpunimi me diasporën shqiptare në Evropë dhe në mbarë botën.

Urime dhe suksese në këtë mandat të ri!

Instituti Shkencor Helvetik i Evropës Juglindore
Cyrih, Zvicër

PhD Dashnim Hebibi
President

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB